Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kuka përgëzon punën e Dajës

Driton Kuka, fitues i tri medaljeve olimpike me xhudistet Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi e Nora Gjakova, ka përgëzuar punën që është duke bërë trajneri Ilir Daja me Ballkanin.

Kuka, përgëzimet për teknikun tiranas i ka bërë nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

Ai, me shaka, ka postuar edhe një fotografi të tij duke luajtur futboll, dhe ka thënë se është i gatshëm për lojë nëse Daja ka nevojë për sulmues.

“Për një ditë të mirë. Më pëlqejnë njerëzit në çdo lami që punojnë, veprojnë e krijojnë vepra, por që nuk krekosen e mashtrojnë duke lavdëruar veten! Suksesi bën zhurmë, e jo daljet në media, rrjete sociale, duke llomotitur e mashtruar. Suksesi po bën zhurmë tek një ekip e trajner. Të tillë po më duken ekipi futbollistik ‘Ballkani’. Të tillë po më duken njerëzit që ndërtuan ekipin në krye me trajnerin që aq sa unë po e shoh, pak flet, e shumë punon! Shpresoj mos të ndaleni, nismë e shkëlqyeshme, por pa eufori. Kosova do tituj edhe në sporte kolektive, gjithçka është e mundur. Trajnerit nëse i duhet sulmues i majtë, mos të më lë në harresë”, ka shkruar Kuka të premten.

Ballkani të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, e mposhti 2:0 skuadrën e madhe kroate, Dinamo Zagreb.