Trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka e ka vlerësuar lart paraqitjen e Distria Krasniqit në finale të turneut Grand Slam që të premten nisi në Budapest të Hungarisë. Krasniqi fitoi medaljen e artë në kategorinë deri 48 kilogramë, duke u konfirmuar si pretendente e madhe për medalje evropiane e po ashtu edhe për medalje olimpike.
Gjatë tërë ditës Krasniqi nuk është rrezikuar asnjëherë. Në finale e mposhti kampionen olimpike, argjentinasen Paula Pareto.
Me Grand Slamin e Budapestitt janë kthyer garat e mëdha të xhudos, pas pushimit të gjatë për shkak të koronavirusit. Dhe Krasniqi është kujdesur që rikthimi të jetë tregim suksesi për Kosovën.
Nora Gjakova, Flaka Loxha e Shigeki Nakamura, janë ndalur herët në garë. Në fundjavë garojnë edhe tre xhudistë tjerë të Kosovës, ndërsa Majlinda Kelmendi pushon.
“Distria sot ka ofruar performancë stabile. Nora nuk ishte në element kundër francezes që nuk i përshtatet kurse Flaka e Nakamura duhet ende për të arritur në këtë nivel. Për Distrinë të rëndësishme janë pikët olimpike. Në Grand Slam mundësohen 1000 pikë, që janë me shumë rëndësi”, ka thënë Driton Kuka për KOHËN.
“Finalja e Distria Krasniqit ishte perfekte. Me siguri të lartë e ka mposhtur kampionen olimpike që sot asnjëherë nuk e ka rrezikuar seriozisht”, ka shtuar Kuka.