Pak muaj kanë kaluar nga paraqitja historike e Ballkanit në Ligën e Konferencës, nivelit të tretët të garave të UEFA-s. Me paraqitjen e dinjitetshme, ku kërkuan deri në fund edhe kalimin e grupit, suharekasit fituan simpatinë e gjithë Kosovës, ndërsa u vlerësuan edhe nga trajnerë e lojtarë të ekipeve kundërshtare.
Por, te Ballkani ndiejnë se kanë humbur shpejt respektin në Kosovë.
Kampioni në fuqi i Kosovës po kalon një krizë të rezultateve në edicionin aktual të Superligës dhe në garën për Kupë.
Ballkani të mërkurën u eliminua nga Kupa, ndërsa nuk ka fituar asnjë prej katër ndeshjeve të fundit të kampionatit. Ekipi nga Suhareka është në vendin e dytë me 50 pikë, një më pak se liderja, Drita e Gjilanit.
Te Ballkani ka pasur akuza se skuadra është dëmtuar në disa ndeshje. Së fundi ishte trajneri, Ilir Daja, që vlerësoi se skuadra e tij po dëmtohet nga gjyqtarët.
Por si Daja ashtu edhe kapiteni i skuadrës, Edvin Kuç pranojnë se Ballkani është në krizë të rezultateve. Për kapitenin Kuç më shqetësues se mungesa e rezultateve është mungesa e respektit për Ballkanin. Ai pretendon se Ballkani nuk respektohet sa duhet.
“Çdo ekip i madh përballet me kriza të rezultateve. Publiku ka harruar shpejt suksesin që e kemi arritur”, ka thënë Kuç të enjten për KOHËN.
Mesfushori thotë se Ballkani është skuadra më e ngarkuar. Ai tregon se po ndihet lodhja te lojtarët për shkak të numrit shumë të madh të ndeshjeve. Disa ndeshje të mbetura shkaku i paraqitjes në Ligën e Konferencës, Ballkani i luajti edhe gjatë dhjetorit, kur po luheshin edhe ndeshjet e Kupës së Botës në Katar.
Në fakt, për kohë të gjatë Ballkani gjatë stinorit vjeshtor fokusin e kishte në Evropë.
“Ne kemi luajtur më së shumti ndeshje dhe kemi pushuar më së paku në krahasim me skuadrat tjera. Ne po ashtu kemi luajtur gjatë Kupës së Botës”, thotë Kuç.
Ballkani gjatë muajve të fundit bëri disa ndryshime në skuadër. Largoi disa lojtarë, ndërsa bëri edhe disa përforcime. Shiti Ermal Krasniqin për 200 mijë euro në Clujin e Rumanisë.
Kuç thotë se ndryshimet që Ballkani i ka bërë gjatë kësaj faze e po ashtu lëndimet kanë ndikuar në rezultatet e fundit.
“Kemi pasur shumë probleme me lëndime, përshtatje të lojtarëve të rinj, por e gjitha kjo është normale në futboll. Mendoj se po ashtu nuk kemi pasur shumë fat. Kemi humbur shumë shanse dhe kemi pranuar gola të lehtë”, është shprehur mesfushori.
Kuç beson se Ballkani ka forcë për të qenë konkurrent i fortë për titull të kampionit. Ai thotë se ka ende ndeshje për t’u zhvilluar deri në fund të edicionit. Deri tani janë zhvilluar 25 xhiro në Superligë.
“Jam i bindur se shpejt do t’i kthehemi rrugës së fitoreve dhe do të tregojmë sërish se jemi skuadra më e mirë në rajon”, ka thënë Kuç.
Besim se do t’i kthehen rezultateve pozitive kanë edhe pjesa tjetër e klubit.
“Rezultatet momentale të ekipit janë kryekëput të aspektit sportiv, që lidhen me shumë faktorë, nga ngarkesa e kalendarit, lëndimet e futbollistëve, adaptimi i ngadalshëm i ardhjeve të reja, e po ashtu edhe te forma e momentit. Nga kjo, bashkë me stafin teknik dhe këta lojtarë që shkruan historinë do të dalim e do t’u kthehemi rezultateve pozitive”, thuhet në një komunikatë të lëshuar të mërkurën nga klubi i futbollit Ballkani.