Emisioni kryesor për futbollin në BBC ka kthyer Premier Leaguen në kaos të shtunën pas njoftimit se Gary Lineker “do të tërhiqet” nga prezantimi, pasi u përfshi në debat me Qeverinë e shtetit, të cilën e kritikoi për qasjen ndaj imigrantëve.
Transmetuesi publik në Mbretërinë e Bashkuar po përballet me bojkot nga mysafirët, prezantuesit e madje edhe futbollistët në emisionin kryesor të ditës “Match of the Day”, ndërsa programet tjera – “Football Focus” dhe “Final Score” – dhe disa programe të radios janë hequr nga transmetimi për shkak të kaosit. Si pasojë, futbolldashësit në Britani po përballen me programe të pazakonte televizive.
Linekeri ka kritikuar politikat kontroverse të Qeverisë të martën dhe si pasojë u tërhoq nga moderimi këtë javë që kur BBC doli me njoftim se postimet e tij nuk përkojnë me politikat e transmetuesit. Vendimi i BBC-së ka nxitur reagime, duke bërë që organizata të vihet nën kritika nga politikanët opozitarë, përfaqësues të stafit të BBC-së e figura të shquara në Mbretërinë e Bashkuar.
“BBC do të sjellë vetëm program të kufizuar sportiv këtë fundjavë dhe kjo vërehet në skemën tonë programore”, ka thënë një zëdhënës i BBC-së në një komunikatë të shtunën. “Na vjen keq për këto ndryshime, të cilat e dimë se do t’i mërzisin për ndjekësit e sportit në BBC. Jemi duke punuar shumë të zgjidhim këtë situatë dhe shpresojmë ta bëjmë sa më shpejt që mundemi”.
Të martën, Linekeri shkroi në Twitter që “kjo është përtej shëmtisë” si përshkrim të një videoje të publikuar nga Qeveria e Britanisë në të cilën prezantoheshin politikat e reja – si përpjekje për t’i ndalur barkat me migrantë nga Franca drejt Mbretërisë së Bashkuar. Lëvizja është kritikuar edhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
“Nuk ka fluks të madh. Kemi pranuar shumë më pak refugjatë se shtetet tjera të mëdha evropiane. Është vetëm një politikë mizore, e pamasë, drejt njerëzve më të cenueshëm”, ka thënë Linekeri.
Edhe
Starmer pritet të dorëhiqet të hënën nga posti i kryeministrit britanik
Ditë më pas, BBC njoftoi për tërheqjen e Linekerit “deri të arrihet pajtimi dhe qëndrimi i qartë për përdorim të rrjeteve sociale”.
Si kundërpërgjigje, analistë, komentatorë e edhe ekipe të Premier Leagues njoftuan për bojkot të emisioneve në përkrahje të Linekerit.