Hajvalia nga sezoni tjetër do të bëj gara në Ligën e Parë të futbollit të Kosovës, por mund të mburret me lojtarët, të cilët po lënë shenjë me rekordet e tyre të arritura në Superligë.
Të rinj në moshë, por shumë të përgatitur fizikisht, sa që po i matin forcat edhe me ekipet e elitës së futbollit tonë, raporton KTV.
18-të vjeçari Edison Kqiku të shtunën me juniorët e ekipit të Hajvalisë ishte i plotë përballë skuadrës së Llapit, derisa në gjithë ndeshjen ishte i pranishëm edhe në Superligë pasdite, ndaj Drenicës.
Padyshim, një përgatitje fizike e jashtëzakonshme e talentit nga paralagja e Prishtinës.
Përballë Drenicës të shtunën, për Hajvalinë në analet e klubit, gjurmë la Çlirim Avdulli, i cili me 16-të vjet mbi supe, arriti të paraqitet denjësisht në ndeshjen debutuese në Superligën e Kosovës, dhe për këtë është jashtëzakonisht i lumtur.
Klubi i Hajvalisë që pozicionohet në vendin e fundit në tabelë dhe pa asnjë gjasë për të mbetur në ligë, në sezonin vjeshtor ka luajtur me lojtarë junior, për shkak se lojtarët e ekipit të parë u larguan për shkak të financave.
Drenica në pjesën e dytë realizoi katër herë për të triumfuar ndaj Hajvalisë, dhe për t’i ikur edhe më shumë zonës së barazhit. Nga ana tjetër, ekipi nga paralagjia e Prishtinës, tashmë është përshëndetur edhe matematikisht nga elita e futbollit tonë.