Që më 19 gusht, selektori i Grenlandës, Morten Rutkjaer, kishte shkruar për një ndeshje me Kosovën. Miqësorja, sipas tij, do të luhet në bregdetin e Turqisë gjatë shtatorit. Madje edhe disa faqe në internet, duke përfshirë atë të Eurosportit, kanë paraqitur këtë miqësore.
Por me Grenlandën nuk do të luajë Përfaqësuesja A e Kosovës. Do të luajë ajo U21, ka mësuar KOHA të hënën. Federata e Futbollit e Kosovës nuk ka lëshuar ndonjë informatë për këtë, por ftesat për lojtarët janë nisur.
Grenlanda nuk është pjesë e FIFA-s dhe miqësorja, që është raportuar se mund të luhet më 23 shtator, nuk është zyrtare. Grenlanda po bën përpjekje për t’u pranuar në FIFA dhe si Kosova një kohë, ka telashe për të gjetur kundërshtarë për miqësore.
“Tani ekipi nacional A është përzgjedhur për udhëtimin në Turqi, ku, ndër të tjera, do të takohet me Kosovën. Udhëtimi është pjesë e përgatitjeve për Lojërat e Ishujve që mbahen në Guyernsey në vitin 2023”, ka shkruar Morten Rutkjaer që më 19 gusht.
Grenlanda është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës dhe ka status të njëjtë me Ishujt Faroe. Por për dallim nga Ishujt Faroe, Grenlanda nuk është pjesë e FIFA-s dhe nuk luan futboll ndërkombëtar. Grenlanda është ishull me sipërfaqe të madhe, mes Oqeanit Arktik dhe atij Atlantik. Është ishulli më i madh në botë me mbi 2 milion kilometra katrorë dhe vetëm 56 mijë banorë.
Së fundi Grenlanda ka aplikuar për t’u anëtarësuar në CONCACAF, Konfederatën e Futbollit të Amerikës së Veriut, Qendrore dhe Karaibeve. Pranimin në FIFA të Grenlandës e përkrah edhe Danimarka.
Grenlanda shumicën e ndeshjeve i ka luajtur me Ishujt Faroe dhe me Islandën, por ato nuk llogariten miqësore të plota ndërkombëtare. Tani do të luaj edhe me Kosovën U21.
Ndërkohë FFK-ja ka nisur të shpërndajë ftesat për lojtarët që do të luajnë ndaj Grenlandës për Kosovën U21. Trepça ‘89 ka njoftuar të hënën se dy lojtarë të saj, Lulzim Peci dhe Erdin Dushi, janë ftuar për miqësoret në Kemer të Turqisë. Klubi mitrovicas nuk ka treguar se ndaj kujt janë miqësoret.
FFK-ja ende nuk e ka aranzhuar miqësoren e dytë për Kosovën U21.
Për Kosovën U21 mund të jetë një miqësore e zakonshme dhe relativisht e lehtë. Por për Grenlandën ndeshja mund të jetë me shumë rëndësi, ashtu siç ishin për Kosovën të gjitha miqësoret kur nuk ishte e pranuar në FIFA e UEFA.
Kosova gjatë rrugëtimit të saj ka luajtur edhe me klube, madje edhe të kategorisë së dytë, ndërsa ka luajtur edhe me territore të papranuara po ashtu. Tani luan e barabartë me të gjitha përfaqësueset e tjera dhe në të gjitha garat.