Përzgjedhëses së Kosovës në futboll në konkurrencë të femrave, Afërdita Fazlija, i janë paraqitur dy probleme të mëdha para ndeshjes së gjashtë kualifikuese për “Euro 2021”.
Kosova pritet të mos llogarisë në lojtaret që jetojnë dhe luajnë në shtete të ndryshme evropiane, kurse lojtaret e klubeve të vendit, në të cilat do të mbështetet Kosova, janë të papërgatitura.
Vetëm lojtaret e Mitrovicës, që do të marrë pjesë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, janë duke stërvitur, kurse lojtaret e klubeve të tjera nuk kanë drejtë të ushtrojnë shkaku i masave të Qeverisë së Kosovës.
Kosova luan kundër Estonisë më 18 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
“Shumë lojtare apo të gjitha lojtarët që janë jashtë vendit nuk e kanë konfirmuar ardhjen shkaku i rregullave në shtetet e tyre ku jetojnë, shkaku i pandemisë. Jemi në situatë të vështirë, ndoshta nuk e kemi pasur asnjëherë përfaqësuesen në situatë më të vështirë para një grumbullimi të rëndësishëm”, ka thënë Fazlija të martën për KOHËN.
Në vitet e fundit Kosova është bazuar kryesisht në lojtaret që luajnë në shtete evropiane. Gjashtë futbolliste luajnë në kampionatet e Gjermanisë, shtet që në shumicën e landeve e ka obligim karantinimin pas kthimit nga Kosova. Një lojtare është nga kampionati i Zvicrës, që po ashtu ka rregulla strikte për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
“Nëse ne duhet ta luajmë këtë ndeshje, atëherë do të detyrohemi të paraqitemi me lojtare të ligës. Vetëm Mitrovica e ka të drejtën të stërvitet, kurse të tjerat ekipe ende nuk e kanë filluar fazën përgatitore. Është një situatë e rëndë”, është shprehur Fazlija.
Fazlija thotë se situata në të cilën ndodhet tash për tash ia kujton periudhën e tre vjetëve më parë kur Kosova edhe bëri debutimin në kualifikime. Atëbotë kishte fare pak opsione para vetes.