Prishtinë, 9 dhjetor – Ish-përzgjedhësi i Suedisë, Erik Hamren, pati marrë goxha kritika për përfshirjen e Emir Bajramit në listën përfundimtare për Kampionatin Evropian të vitit 2012. Mirëpo, Hamren e pati mbrojtur vendimin e tij, duke thënë se në “Euro 2012” i duhen lojtarë kreativë dhe, sipas tij, Bajrami ishte pikërisht një prej tyre. E për ta konfirmuar se nuk e kishte marrë futbollistin e lindur në Prishtinë sa për ta plotësuar numrin, Hamren ia pati dhënë rastin Bajramit të luajë si titullar kundër kampiones së botës të vitit 2018 – Francës. Bajrami luajti 45 minuta në Evropianin e tetë vjetëve më parë për Suedinë, kundërshtaren e parë të Kosovës për kualifikimet e Kampionatit Botëror “Katari 2022”. Kundër Suedisë, Kosova do të luajë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, më datën 28 mars të vitit të ardhshëm.
Bajrami, 32-vjeçar, i ka dhënë fund karrierës si futbollist aktiv, derisa aktualisht është ndihmëstrajner te skuadra elitare e Suedisë, Elfsborg. Ai, nga janari i vitit 2010, për Suedinë i ka shënuar dy gola në 18 paraqitje. Bajrami vlerësohet si lojtari më i madh shqiptar që ka luajtur për Suedinë, por jo edhe i vetmi. Në një ngjarje të madhe për Suedinë luajti edhe mesfushori Astrit Ajadareviq, po ashtu i lindur në Prishtinë. Ai pati shënuar një gol në tri ndeshje. Për Suedinë në të kaluarën kanë luajtur edhe i ndjeri Labinot Harbuzi, pastaj Erton Fejzullahu, Loret Sadiku dhe Arbër Zeneli. Tre të fundit patën rastin të luajnë edhe për Përfaqësuesen e Kosovës. Madje, Zeneli është një prej lojtarëve kryesorë te “Dardanët”.
“Emiri ka qenë ndër të parët pas Anel Rashkajt që ka shprehur interesimin të luajë për Kosovën. Kam qenë në kontakt me Emirin qëkur luante në Athinë. Kam folur edhe me drejtorin e Përfaqësueses së Suedisë. Mirëpo, për fat të keq, Emiri e lëndoi shpinën, gjë që e ktheu prapa në karrierë. Megjithatë, Emiri pati pranuar të luajë për Kosovën qysh në kohën kur ishte në formën më të lartë”, ka treguar ish-përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki, të mërkurën për KOHËN.
Në fakt, është raportuar në vitin 2014 se Bajrami kishte shprehur dëshirën t’i bashkohej Kosovës posa të pranohet në UEFA dhe FIFA. Mirëpo, ai asnjëherë nuk arriti të realizojë dëshirën e tij - të luajë për Kosovën.
Harbuzi, i pari që veshi fanellën e Suedisë
Bajrami nuk luajti i pari për Suedinë. Për U19 e Suedisë, Bajrami nisi të luajë në vitin 2006. Para tij ishte i ndjeri Labinot Harbuzi. Harbuzi, në vitin 2001, ishte përfshirë për herë të parë në ekipin U17 të Suedisë. Për të rinjtë e Suedisë pati luajtur 20 ndeshje dhe pati shënuar pesë gola. Për U19 e Suedisë, Harbuzi shënoi një gol në pesë ndeshje, kurse një gol në gjashtë ndeshje shënoi edhe për U21 të Suedisë. Në të vërtetë, Harbuzi vlerësohej një prej talenteve më të mëdhenj në Suedi.
“Me të ndjerin Labinotin kam pasur kontakt dhe e kemi ruajtur relacionin goxha gjatë. Madje, më pati ndihmuar goxha shumë në miqësoren që e patëm organizuar kundër Malmos. Ai atëbotë luante për Malmon”, kujton Bunjaki ndihmën e Harbuzit të lindur në Malmo.
Suedia si dhe shumë ish-bashkëlojtarë të tij e kujtojnë përherë kontributin e Harbuzit për shtetin skandinav. Madje, ylli i Suedisë, Zlatan Ibrahimoviq, në vitin 2009 pati thënë se Harbuzi është i talentuar dhe se shpejt do të bëhet pjesë e Përfaqësueses A të Suedisë.
“Unë mendoj se ai do të jetë shpejt me ne në ekipin përfaqësues. Ai luan një lojë krejt ndryshe dhe mendoj se i duhet Suedisë”, pati thënë Ibrahimoviq për Harbuzin, i cili vdiq në tetor të vitit 2018 në moshën 32-vjeçare.
Fejzullahu luajti për Suedinë e Kosovën
Ndihmë Suedisë dhe Kosovës i dha edhe Erton Fejzullahu. Sulmuesi 32-vjeçar, që aktualisht është pa klub, për Suedinë për herë të parë nisi të luajë në vitin 2005, si pjesë e ekipit U17. Ai shpejt arriti të luajë edhe për U21 e Suedisë, derisa në pesë ndeshje për Përfaqësuesen A suedeze shënoi tre gola. Fejzullahu në vitin 2013 ishte pjesë e Suedisë në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Botëror “Brazili 2014” kundër Irlandës, por nuk u aktivizua. Madje, Fejzullahu me Suedinë u shpall “kampion jozyrtar i botës në futboll” në vitin 2013, në edicionin e 42-të të turneut ndërkombëtar “King's Cup”, që u mbajt në Tajlandë. Në këtë turne pati shënuar gol në debutim kundër Koresë së Jugut. Pas periudhës së kaluar me Suedinë, Fejzullahu vendosi të luajë për Kosovën. Luajti 23 minuta ndaj Kroacisë në Zagreb në vitin 2017, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Rusia 2018”. Vetë Fejzullahu pati thënë më herët se ndihet mirë që ka arritur të luajë si për Suedinë, shtetin që i ka dhënë shumë në jetë, ashtu edhe Kosovën, vendin e lindjes. Edhe Bunjaki thotë se Fejzullahu është vlerësuar lart në Suedi dhe po ashtu nga vetë ai.
“Ertoni ka qenë ndër më të mirët në ndeshjen miqësore që e luajtëm kundër Eintracht Frankfurtit. Por, ai vendosi të largohet nga Evropa për të bërë karrierë në Kinë dhe ishte e pamundur ta ftoja që të luante në miqësore”, ka shtuar Bunjaki.
Tentimi i Kosovës ta afrojë Ajdareviqin
Në periudhë të njëjtë si Fejzullahu, për Suedinë nisi të luajë edhe mesfushori Astrit Ajdareviq. Edhe Ajdreviq aktualisht është pa skuadër. Mirëpo, Ajdareviq, prej vitit 2005 deri në vitin 2007, për U17 të Suedisë ka shënuar shtatë gola në 20 ndeshje. Ai luajti dy vjet edhe për ekipin U19, ku në 18 paraqitje i realizoi dy gola. Derisa për Shpresat e Suedisë dhe ekipin e parë, Ajdareviq regjistroi në total 18 ndeshje dhe arriti të shënojë tre gola. Ish-përzgjedhësi i Kosovës, Bunjaki, thotë se Ajdareviqin e ka kontaktuar, por që nuk ka mundur ta bindë të paraqitet për Kosovën. Megjithatë, Bunjaki thotë se Kosova më vonë krijoi konkurrencë në pozitën ku luante Ajdareviq dhe se më nuk e kishte në planet e tij.
Sadiku e Zeneli, shpresat e Suedisë
Dy të fundit që ishin pretendentë për t’u paraqitur për Përfaqësuesen “A” të Suedisë ishin Loret Sadiku dhe Arbër Zeneli. Për të dy është diskutuar gjatë në mediumet e Suedisë se si Federata suedeze nuk kishte arritur t’i ruajë. Por, Bunjaki thotë se Sadiku dhe Zeneli ishin të vendosur për ta përfaqësuar Kosovën. Me gjithë dëshirën, Sadiku kurrë nuk u paraqit për Kosovën në ndeshje zyrtare, meqë e kishte shfrytëzuar mundësinë e ndërrimit të përfaqësueses. Ai, pasi kishte përfunduar ciklin me U21 të Suedisë, vendosi ta përfaqësojë Shqipërinë, por nuk luajti as për “kuqezinjtë”. Luajti vetëm për Kosovën deri në pranim. U paraqit vetëm katër ndeshje. Për shpresat suedeze Sadiku luajti tre ndeshje, derisa Zeneli luajti për grupmoshat U17, U19 dhe U21 të Suedisë. Për këtë të fundit ai u paraqit në 11 ndeshje dhe shënoi dy gola, por nga viti 2016 është i rregullt te Kosova. Ka shënuar shtatë gola në 17 paraqitje. Zeneli është i kënaqur që ndër kundërshtaret e Kosovës për ciklin e dytë të saj kualifikues për Kampionatin Botëror “Katari 2022” do të jetë edhe Suedia. Ai ka thënë se me padurim e pret përballjen me Suedinë, shtet të cilin e përfaqësoi përpara se të luante për Kosovën.
“Do të jetë një ëndërr të luaj kundër Suedisë dhe po ashtu kundër Spanjës. Po e pres me emocione për t'i zhvilluar këto ndeshje. Tash është kualifikimi për Botëror dhe duhet ta japim maksimumin edhe aty. Jam shumë i emocionuar, sepse e kam familjen në Suedi dhe kam luajtur për Suedinë prej U15 deri në U21. Me gjithë qejf kam dëshirë të luaj në këtë ndeshje”, ka thënë Zeneli.
Kalimi i Zenelit nga Suedia te Kosova, Bunjaki thotë se është histori në vete.
“Arbëri ka qenë ndër talentet më të mëdhenj në Suedi. Trajnerin e tij në U21 e kam shok dhe i kam treguar që Arbëri do të luajë për Kosovën. Politikat e Suedisë dallojnë nga ato të Zvicrës. E respektojnë vendimin e lojtarit, kurse ndryshe është në Zvicër. Nëse kam shkuar ta marr Mërgim Brahimin, apo Benjamin Kolollin, federata, klubet e menaxherët janë kundër. Në Suedi respektohet zgjedhja që bën lojtari”, thotë Bunjaki.
Lidhja e fortë e Suedisë me Kosovën
Bunjaki thotë se lidhja e Kosovës dhe Suedisë është shumë e fortë. Ai ka theksuar se Suedia është një nga vendet që ka pranuar më së shumti emigrantë nga Kosova.
“Gjenerata e dytë dhe e tretë që ka shkuar në Suedi janë me futboll. E ke Anel Rashkajn që trajner e ka pasur përzgjedhësin e tanishëm të Suedisë, Janne Anderssonin. Ai ka qenë trajner te Kalmari, kurse unë te Halmstadi. Edhe Federata e Futbollit e Suedisë, gjithashtu, e ka ndihmuar e para Kosovën. Suedia në vitin 2002 ka ndarë licencat B për trajnerë. E ka organizuar kursin në mes të Prishtinës. Ka mbështetur në projekte të ndryshme me mbi dy milionë euro. Edhe stadiumin historik ‘Rasunda’ vendosi ta japë për Kosovën, e po ashtu edhe për zhvillimin e futbollit të femrave, e mos të flasim edhe për procesin e ndërkombëtarizimit”, ka thënë Bunjaki.
Ai ka shtuar se lidhjet kanë nisur qysh nga koha kur Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) drejtohej nga Sabri Hashani.
“E kanë vazhduar me të ndjerin Fadil Vokrri dhe tash me Agim Ademin. Janë krijuar raporte aq të ngushta dhe të shkëlqyeshme. Janë forcuar edhe më shumë me Agim Ademin”, ka thënë Bunjaki.
