Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Konfirmohet interesimi i Arsenalit për Dominik Szoboszlain

Arsenali pasi nuk arriti ta transferojë në verë Houssem Aouarin e Lyonit, e ka zhvendosur interesimin te mesfushori i RB Salzburgut, Dominik Szoboszlai.

“Topçinjtë” edhe në afatin kalimtar veror të këtij viti kishin pyetur për mesfushorin hungarez, por ky i fundit vendosi të qëndrojë me klubin austriak pas kualifikimit në Ligën e Kampionëve.

Stili i lojës së 20-vjeçarit pëlqehet shumë nga Mikel Arteta, dhe një gjë të tillë për “Index” të Hungarisë, e ka konfirmuar vet menaxheri i lojtarit.

Szoboszlai është paraqitur 73 herë për Salzburgun, pavarësisht se është vetëm 20-vjeçar. Ai i ka shënuar 22 gola në të gjitha garat për këtë ekip.

Debutoi në moshën 17 vjeçare në maj të vitit 2018 dhe shënoi gol në Ligën e Kampionëve në debutim sezonin e kaluar, në fitoren 6:2 kundër Genkut.

Edhe me Përfaqësuesen e Hungarisë ka luajtur 10 herë, dhe ka dy gola të shënuar.