Komiteti Olimpik i Kosovës po mbanë ceremoninë “Lauretatët 2019” në të cilën po shpërblen sportistët më të mirë të vitit të kaluar.
Ceremoninë po e nderon me pjesëmarrje Marius Vizer, kryetar i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos.
Çmimet e para janë ndarë për Shpresa të Vitit. Xhudistja Laura Fazliu dhe atleti Muhamed Ramadani i kanë fituar ato. Fazliu fitoi medalje të bronzta në kampionatin botëror dhe evropian për juniorë. Ndërkohë Ramadani fitoi të artën në hedhje të gjyles në Festivalin Olimpik Evropian.
“Jam krenare qe jam sportistja më e mirë për të reja. Ishte viti më i suksesshëm falë trajnerit tim, Driton Kuka. Shpresoj në suksese tjera këtë vit”, ka thënë Fazliu.
“Falenderoj trajnerin Shaban Ramadani dhe kryetarin e Federatës, Halil Sylejmani. Viti më i mirë në karrierën time, por pres suksese edhe më të mëdha këtë vit”, ka thënë Ramadani.
Ndërkohë KOK-u ka ndarë dy çmime speciale. Çmimi i parë Special i takoi përfaqësueses U-21 të Kosovës në hendboll për pjesëmarrje në Botëror. Sulmuesit të Kosovës në futboll, Vedat Muriqi i takoi Çmimi i dytë Special.
“Është mirënjohje e cila i dedikohet atyre që dhanë maksimumin dhe arritën të paraqiten në kampionat botëror. Një sukses i rëndësishëm për hendbollin dhe sportin në përgjithësi. I falënderoj të gjithë që kanë kontribuar për këtë sukses. Shpresoj se edhe ekipet tjera, ashtu si hendbolli, do të paraqiten në kampionate evropiane e botërore”, ka thënë presidenti presidenti i FHK-së Eugen Saraçini.

