Sport

Koemani kritikon arbitrin që nuk akordoi penallti për Eibarin kundër Realit

Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman, ka kritikuar ashpër vendimin e arbitrit për të mos akorduar penallti në favor të Eibarit në ndeshjen kundër Real Madridit.

Kjo ndeshje u zhvillua të dielën mbrëma dhe përfundoi me fitoren e Real Madridit 3:1, por momenti më kontrovers i saj ishte në minutën e 94-t, kur Ramos preku topin me dorë brenda zonës, por nuk pati asnjë reagim. Ky “incident” u komentua shumë për shkak se në ato momente, rezultati ishte 2:1 në favor të Real Madridit dhe situata mund të ndryshonte tërësisht nëse do të akordohej penallti për Eibarin. E Koeman, për këtë ka folur në konferencën për shtyp të mbajtur të hënën, në prag të ndeshjes me Real Valladolidin që luhet të martën mbrëma.

“Unë nuk e kuptoj. Siç thashë edhe atë ditë kundër Madridit, nuk dua ta përsëris. 9 në 10 persona në Madrid do ta vlerësonin penallti, por gjyqtari nuk e bëri”, ka thënë Koeman. “Për mua, ajo ishte penallti. Arbitri dhe ekipi i tij në VAR vendosën ndryshe dhe unë e respektoj atë”.