Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Klubet e Bundesligës futen në “kampe izoluese” për dy xhirot e fundit

36 klubet e dy ligave më të mira të Gjermanisë do të shkojnë në “kampe trajnimi izoluese” të detyrueshme për dy xhirot e fundit të sezonit në Bundesliga, njoftoi të enjten Lidhja Gjermane e Futbollit (DFL), për të siguruar që orari i ndeshjeve të përfundojë në kohë.

Klubet në Bundesligën e parë dhe të dytë do të shkojnë në kamp nga data 12 maj deri në fundjavën e fundit të sezonit më 23 maj.

Me Gjermaninë që aktualisht është në valën e tretë të pandemisë COVID-19, DFL ka forcuar kufizimet e higjienës.

Lidhja ka urdhëruar klubet të izolojnë plotësisht skuadrat e tyre për 10 ditët e fundit të sezonit për t'u siguruar që mund të përfundojë në kohë përpara “Euro 2020”, që zgjat nga 11 qershori deri më 11 korrik.

DFL-ja ka reaguar pasi ekipi i Hertha Berlinit u urdhërua të futej në një karantinë dy-javore të enjten e kaluar pasi disa anëtarë të skuadrës dolën pozitiv me koronavirus. Ka pasur gjithashtu disa raste të klubeve që janë në karantinë në divizionet e dyta dhe të treta të Gjermanisë.

Para fillimit të kampeve të izolimit, lojtarët dhe trajnerët duhet të shkojnë në një “mini-karantinë” nga 3 maji kur anëtarët e skuadrës dhe stafi do të jenë në gjendje të lëvizin vetëm midis shtëpive të tyre dhe mjediseve të klubit, për të zvogëluar kontaktin dhe minimizuar rrezikun e infektimit.