Sport

Kishte thirrje “anti-Kosovë”, UEFA dënon Partizanin e Beogradit

Konfederatës Evropiane të Futbollit (UEFA) i ka dalë sërish punë me klubet serbe për sjellje josportive të tifozëve serbë. UEFA të hënën ka dënuar Partizanin e Beogradit për shkeljet që i kanë bërë tifozët e këtij klubi në ndeshjen e 11 gushtit ndaj AEK Larnacas së Qipros, në kuadër të Ligës së Evropës.

Ka pasur shumë veprime josportive të tifozëve serbë e qipriotë në atë ndeshje. Ka pasur edhe thirrje “Kosova – Serbia”, që i kanë bërë tifozët e të dy skuadrave. Për këtë thirrje të përbashkët, tifozët serbë në stadium kanë duartrokitur tifozët nga Qiproja. Qipriotët kishin shprehur qëndrimin anti-Kosovë edhe në ndeshjen e parë, të luajtur një javë më herët në Qipro.

UEFA ka njoftuar se ka dënuar Partizanin, ndër të tjera, për sjellje diskriminuese të tifozëve të tij. UEFA nuk ka saktësuar vendimin, por në të kaluarën thirrjet anti-Kosovë janë vlerësuar diskriminuese.

Ndërkohë mediat serbe nuk kanë përmendur këto thirrje si arsye për dënim.

Partizani është dënuar me 20 mijë euro dhe me mbylljen e pjesshme të stadiumit në ndeshjen e ardhshme evropiane, “për sjellje diskriminuese të tifozëve të tij. Sektori që do të mbyllet duhet të përbëhet nga të paktën 2000 vende”.

Partizani është obliguar që të vendosë panon “#NoToRacism”, me logo të UEFA-s, në ndeshjen e ardhshme evropiane, që e luan këtë javë, në Ligën e Konferencës.

16 mijë euro tjera do të paguajë Partizani për mbyllje të rrugëve publike në stadium, 10 mijë e 500 euro për hedhje të gjësendeve në fushën e lojës dhe 12 mijë euro për hyrje të shikuesve në fushën e lojës.

Mediat serbe e kanë vlerësuar të butë dënimin ndaj Partizanit, marrë për bazë ngjarjet që ndodhën në ndeshjen e javës së kaluar në Beograd.

Pos thirrjeve anti-Kosovë, ka pasur përleshje të huliganëve të Partizanit me policinë, hyrje në terren të huliganëve dhe maltretim të lojtarëve të Partizanit pas fundit të ndeshjes. Dhe mediat beogradase thonë se këto janë arsyet e dënimit të Partizanit.