Xhudisjta Majlinda Kelmendi ka shprehur për Sportin në KTV, gëzimin dhe entuziazmin pas triumfit për medaljen që i mungonte.
“Është medalja e parë në Lojëra Evropiane, hera e parë që mora pjesë dhe fitova. Është medalje që më ka munguar në raportuarin tim të medaljeve”, ka thënë Kelmendi, teksa është shprehur e lumtur për mënyrën se si u kthye në luftë pas dy vjetësh pauzë.
“Jam shumë e lumtur sepse ka dy vjet që s’kam garuar në kampionat për shkak të lëndimeve dhe thjesht kjo medalje më ka bind që jam kthyer në top-formë e jam gati për garat e ardhshme”, ka thënë ajo.
Ajo e ka cilësuar si tejet të fortë garën në Minsk.
“Gjysmëfinalja dhe finalja ishin më të vështirat. Rusja është me shumë përvojë, ka fuqi të madhe fizike. E fitova me ‘golden score’ (kohën shtesë)”, ka thënë ajo.
E shijen fitores thotë se ia ka shtuar edhe fakti se gara është mbajtur në Minsk të Bjellorusisë, në vendin që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Edhe
Majlinda Kelmendi tregon se kujt ia dedikon medaljen e artë
“Diçka që më gëzoi për veç faktin që jemi në Bjellorusi si shtet që s’e ka pranuar Kosovën e krejt publiku ishte me të, e unë kisha një pjesë të sportistëve që më përkrahte”, ka thënë Kelmendi.
Ajo e ka përsëritur se fitoren i dedikon Labinot Parduzit, djalit të tezes së saj, i cili humbi jetën para disa muajsh.
“E kam pas idhull, e qysh kur isha fëmijë më thoshte: Ke me u bë kamione. Më 2017 kur u lëndova më tha se do të kthehesh më mirë e tash ia dedikoj dhe i them që jam kthyer”, ka përfunduar ajo.