Sulmuesi i Spanjës dhe Atletico Madridit, Alvaro Morata, ka një CV të mbushur me emra të klubeve të mëdha. Ka luajtur për Real Madridin, Juventusin dhe Chelsean, por rrallë konsiderohet si një sulmues elitar.
Dy tituj të La Ligas, dy tituj të Serie A dhe dy trofe të Ligës së Kampionëve janë në listën e tij të sukseseve. Me gjithë sukseset, duket sikur 30-vjeçari Morata ka dështuar për pjesën më të madhe të karrierës. Megjithatë, ishte goli që e kaloi Spanjën në epërsi kundër Gjermanisë, në barazimin 1:1 në Kupë të Botës të dielën, që dha një tjetër sinjal se më në fund koha e Moratas për të shkëlqyer ka ardhur.
“E tashmja është gjithçka”, insistojnë organizatorët e Kupës së Botës në Katar, një slogan i ngjitur nëpër Doha. Është një thirrje që i përshtatet Moratas, pas vitesh jo shumë efikase. Goli i Moratas nga harkimi i ulët i Jordi Albas ishte vdekjeprurës, duke e lënë Manuel Neuerin pa asnjë shans për të reaguar. Sulmuesi hyri si zëvendësues kundër Gjermanisë. Zëvendësues ishte edhe ndaj Kosta Rikës në ndeshjen që Spanja e fitoi 7:0, ku Morata asistoi dhe shënoi një gol. Morata ka bërë paraqitje të mira me Atletico Madridin e Diego Simeones këtë sezon, pavarësisht vetëm pesë golave në 14 ndeshje në La Liga. Ai shënoi një gol në fund të ndeshjes për Spanjën kundër Portugalisë në shtator për të dërguar “La Rojan” në “Final Four” të Ligës së Kombeve. Edhe pse Luis Enrique deri më tani ka zgjedhur anësorin Marco Asensio përpara tij në pozicionin e sulmuesit kryesor, Morata duket i sigurt për veten dhe i aftë të shfrytëzojë shanset kur të vijnë.
“Ndihem rehat te Spanja, jam krenar që jam këtu”, tha Morata, i cili edhe u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes kundër Gjermanisë. “Nuk është e lehtë, kërkesat ndaj nesh dhe presioni janë shumë të mëdha, qoftë titullar apo zëvendësues. Unë dua të fitoj të gjitha ndeshjet, unë jam një ushtar si gjithë të tjerët, dhe ne do të shkojmë drejt vdekjes së bashku. Përveçse jemi një ekip i madh, ne jemi një grup i madh dhe shumë i bashkuar”.
Morata e filloi karrierën te të rinjtë e Atleticos, por kaloi në Real Madrid dhe bëri debutimin në vitin 2010, nën drejtimin e Jose Mourinhos. Vitet e ardhshme lëvizën ngadalë, megjithëse ai u shfaq nga banka e rezervistëve në finalen e Ligës së Kampionëve 2014, me Realin që mundi Atletico në kohën shtesë. Atë verë Morata nënshkroi për Juventusin, në kërkim të futbollit të rregullt, duke shënuar në të dyja ndeshjet gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve për të eliminuar Real Madridin. Por Barcelona triumfoi në finalen e Berlinit.
Real Madridi shfrytëzoi një klauzolë kthimi në verën e vitit 2016 dhe Morata u bë pjesë e dobishme e skuadrës për një sezon, edhe pse ai ishte opsioni i dytë për Zinedine Zidanen, pas Karim Benzemas. Me La Ligan dhe Ligën e Kampionëve të fituar, Morata vendosi të provonte fatin në Premier League me Chelsean. Pak të ndjeshëm, tifozët e bluve menduan se atij i mungonte bindja kur krahasohej me paraardhësin e tij Diego Costa, veçanërisht pasi mbërriti për një tarifë rekorde të atëhershme të klubit prej 60 milionë funtesh, në korrik të vitit 2017. Morata humbi vendin e titullarit ndaj Olivier Giroudit dhe në janar 2019 u dërgua në skuadrën e tij të parë, Atletico, në një huazim 18-mujor. Marrëveshja shpejt u bë e përhershme. Në verën e vitit 2020, pas një sezoni të parë zhgënjyes, Atletico e huazoi te Juventusi. Italianët zgjatën kontratën njëvjeçare për një sezon tjetër, por nuk e angazhuan atë tutje dhe Morata u kthye te Atletico në korrik të vitit 2022.
Sulmuesi e filloi sezonin mes pasigurisë për të ardhmen e tij, por ka fituar vendin në skuadrën e Simeones. Luis Enrique mbajti besimin, pavarësisht zhurmës për përfshirjen e lojtarëve të tjerë si Iago Aspas apo Borja Iglesias. Në “Euro 2020”, trajneri e mbrojti Moratan, edhe pse ai humbi disa raste të mëdha. Morata po e kthen atë besim. Dhe pas një dekade pritjesh pa përgjigje, ndoshta tani është vërtet i rëndësishëm për Spanjën dhe sulmues elitar.