Basketbollisti i përfaqësueses së Kosovës, Erjon Kastrati ka thënë se problemet në mbrojtje i kushtuan Kosovës me humbje në ndeshjen ndaj Estonisë.
Pas fitores ndaj Maqedonisë në ndeshjen e parë të parakualifikimeve për Botërorin “Kina 2019”, Kosova u mposht nga Estonia me rezultat 76 me 50. Kastrati pas ndeshjes ka thënë se tani duhet të mendojnë për ndeshjen që do ta zhvillojnë më 12 gusht ndaj Maqedonisë në Shkup, transmeton Koha.net.
“Ishte një natë e keqe për neve. E kemi ditur se do të jetë vështirë, sepse Estonia është skuadër që e lëviz shumë shpejtë topin, por sot kanë luajtur shumë mirë edhe në mbrojtje”, ka thënë Kastrati.
“Në anën tjetër ne patëm probleme me mbrojtjen tonë dhe kjo na kushtoi shumë. Tani duhet të mendojmë për ndeshjen me Maqedoninë. Kemi pak ditë për tu rikuperuar, por jemi optimistë dhe premtojmë se do ta bëjmë më të mirën tonë në parket”, ka shtuar ai.