Për Enisa Kamerollin nuk ka fare pushime të verës.
Me të përfunduar paraqitjet me Përfaqësuesen U-18 të Kosovës në Kampionatin Evropian, Divizioni B në Shkup, më 14 korrik, Kamerolli menjëherë i është bashkuar në stërvitje gjeneratës tjetër, U-16. Ajo do të jetë pjesë e kësaj gjenerate në evropianin e Divizionit B, që mbahet muajin e ardhshëm në Bullgari.
Në fakt, Kamerolli në muajin qershor ka filluar me përgatitje dhe krahas ekipit U-18, ajo është stërvitur edhe me ekipin U-20 të Kosovës. Kjo do të thotë se Kamerolli është pjesë e tri gjeneratave të Kosovës, por mund të luajë vetëm për dy. Kështu që, duke u bazuar në këtë rregullore, Kamerolli ka zgjedhur të jetë pjesë e gjeneratave U-16 dhe U-18.
Te kjo e fundit, Kamerolli ishte kapitene.
"Jam stërvitur me të tri gjeneratat, por pasi FIBA nuk lejon që një lojtare të luajë me tri kategori, atëherë kam zgjedhur të jem pjesë e ekipeve U-16 dhe U-18 të Kosovës", ka thënë 15-vjeçarja. "Pas përfundimit te evropianit me ekipin U-18, menjëherë i kam nisur stërvitjet me ekipin U-16 për t'u bërë gati. Këtë verë kam stërvitur tërë kohën. Tash po bëhem gati për evropianin e dytë".
Përderisa me ekipin U-18 nuk shijoi asnjë fitore, Kamerolli beson se me ekipin U-16 të paktën mund të arrihen dy fitore. Gjenerata U-18 përfundoi e 22-ta, e parafundit në evropianin e mbajtur në Shkup, pasi i humbi të gjitha ndeshjet e luajtura. I zhvilloi gjithsej shtatë. Kamerolli në këtë evropian pati mesatare prej 8.7 pikëve për ndeshje... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)