Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kalou suspendohet pas publikimit të videos skandaloze

Salomon Kalou është suspenduar të hënën pas publikimit të një video, që është vlerësuar skandaloze.

Të hënën është bërë e ditur se dhjetë persona të klubeve të Bundesligës dhe Bundesligës 2 janë testuar pozitiv për koronavirus, në valën e fundit të testimeve. Por kjo me gjasë nuk i ka interesuar shumë futbollistit të Hertha Berlinit, Salomon Kalou. Po të hënën ai ka publikuar një video të tij në kompleksin stërvitor të Herthas, ku injorohet distancimi social.

Ish-futbollisti i Chelseat, Kalou është parë duke shtrënguar duart me bashkëlojtarët e Herthas dhe ka ndërprerë kontrollimin mjekësor të një futbollisti tjetër. 34-vjeçari nga Bregu i Fildishtë ka fshirë videon më pas, por dëmi i madh është shkaktuar. Madje ka pasur vlerësime se videoja e tij vë në dyshim planin për vazhdim të Bundesligës gjermane.

Pamja është vlerësuar e papranueshme nga Liga Gjermane e Futbollit, që po punon shumë për rifillim të kampionatit më vonë këtë muaj.

Pas Ligës ka reaguar edhe Hertha që e ka suspenduar futbollistin me efekt të menjëhershëm.

“Me këtë video, Salomon Kalou jo vetëm që ka shkaktuar dëm të madh për Herthan, por mbi të gjitha në kohën e diskutimit lidhur me rifillim të kampionatit, ka dhënë përshtypje që lojtarët nuk e marrin koronavirusin shumë seriozisht”, ka thënë Michael Preetz, menaxher i Herthës.

Edhe Bundesliga po lufton ta përfundojë sezonin pas shpërthimit të virusit Sport Bundesliga po lufton ta përfundojë sezonin pas shpërthimit të virusit

Futbollisti i pakujdesshëm të paktën ka kërkuar falje për incidentin.

“Më vjen keq nëse kam dhënë përshtypje që nuk po e marr koronavirusin shumë seriozisht. Nuk kam menduar vërtetë, ndërsa unë isha i lumtur që testet tona ishin negative”.