Nga miliona euro të ndara nga UEFA për klube, një pjesë e tyre i kanë takuar edhe klubit të Fidan Alitit në Suedi, Kalmari.
Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka lëshuar paratë për klubet që i kanë liruar lojtarët në ndeshjet kualifikuese të Evropianit dhe ato të Ligës së Kombeve. 12-të klube suedeze i kanë ndarë 8.9 milionë kruna suedeze, apo 833 mijë e 190 euro.
Kalmari do të marrë rreth 30 mijë euro, pas paraqitjeve të Fidan Alitit me Përfaqësuesen e Kosovës. Kjo është gjë e mirë për klubin sipas drejtorit të Kalmarit, Lucas Nilsson.
“Ky është lajm pozitiv për Kalmarin në situatën financiare në të cilën jemi për momentin. Të gjitha paratë janë të mirëseardhura dhe jemi krenar që kemi lojtarë të këtij niveli”, ka thënë ndër të tjerash Nilsson për faqen zyrtare të klubit. Përfituesi më i madh nga kjo pako është AIK-u, që do të arkëtojë rreth 187 mijë euro.