Sport

Kalimi i Dajakut te Hajduku bën bujë në Kroaci

Janë të shumta shkrimet për Leon Dajakun në mediumin e njohur kroat, Slobodna Dalmacija. Ky medium është shumë i afërt me Hajdukun e Splitit, klubin e famshëm dhe shumë të përcjellë në Kroaci.

Dajaku të hënën mbrëma u zyrtarizua te Hajduku, ndërsa komentet e kroatëve lidhur me transferimin e tij janë të shumta. Një pjesë e mirë e komentuesve kanë dyshime nëse Dajaku do të jetë përforcim i duhur për Hajdukun. Por ka edhe të tillë që presin që Dajaku të shfaqet i suksesshëm te skuadra nga Spliti dhe që kundërshtojnë sulmet ndaj tij ende pa nisur me stërvitje e ndeshje.

Dajaku menjëherë të martën i është bashkuar Hajdukut në stërvitje në Poloni. Klubi nga Spliti, që ka tifozë edhe në Kosovë, ka paraqitur një video të Dajakut, në të cilën shihet duke kaluar një bashkëlojtar dhe duke dërguar topin në rrjetë. Emri i Dajakut është edhe prej më të kërkuarve në “transfermarkt”, sajtin e specializuar për transferimin e lojtarëve. Në fakt secili lojtar që transferohet nga Hajduku, bëhet shumë i kërkuar në “transfermarkt”. Kjo dëshmon se sa shumë tifozë ka Hajduku dhe sa pasionantë janë ata.

Për Dajakun, karrierën e tij, e sidomos për faktin që ishte te Bayerni, kanë shkruar të gjitha mediat e mëdha kroate, të hënën e të martën. Shkrimet për Hajdukun janë gjithnjë të kërkuara dhe rrjedhimisht kosovari do të jetë goxha i përcjellë nga mediat kroate. Tashmë ka shkrime edhe për nënën dhe të dashurën e Dajakut.

Dajaku është 22-vjeçar dhe luan kryesisht si sulmues krahu. Ai së fundi ishte te St. Galleni në elitën e Zvicrës. Por atje ishte i huazuar nga Sunderlandi anglez. Nga Sunderlandi ka kaluar te Hajduku. Me klubin kroat, kosovari i lindur e i rritur në Gjermani ka firmosur kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2027. Do ta mbajë fanellën me numër 22.

“Bëhet fjalë për një lojtar që ka kompletuar shkollimin për futboll në akademitë e Stuttgartit dhe Bayernit. Ka luajtur për të rinjtë e Gjermanisë dhe që është veçuar si talent me potencial të madh. Është sulmues i gjithanshëm që mund të mbulojë disa pozita, nga sulmuesi i krahut tek ai i qendrës. Mund të gjejë vend në formacione të ndryshme. Sigurisht do t’i duhet periudhë e shkurtër e përshtatjes në ekip dhe në ligë. Është shumë garues, energjik dhe mund të luajë në intensitet të lartë”, ka thënë drejtori sportiv i Hajdukut, Mindaguas Nikolocius.

Në pranverë, Dajaku regjistroi 12 paraqitje në Superligën e Zvicrës. Bëri dy asistime. Në pjesën e parë të kampionatit të kaluar i kishte dhjetë paraqitje në kategorinë e dytë angleze për Sunderlandin.

Ai ka luajtur për U17, U18, U19 dhe U20 të Gjermanisë. Në Bundesligë i ka gjashtë paraqitje. Luajti dy herë në edicionin 2018/19 me Stuttgartin. Në edicionin 2019/2020 i kishte dy paraqitje me Bayernin, ndërsa në edicionin 2020/2021 kishte dy paraqitje në kampionatin gjerman me Union Berlinin.

Marrë për bazë që ishte pjesë e Bayernit dhe vlerësohej me potencial të madh, kalimi i Dajakut te Hajduku është hap prapa. Por ka disa vjet që ai bën vetëm hapa prapa në karrierë, me synimin për të shfaqur potencialin dhe për të nisur rrugën para.

Pasi nuk depërtoi te Bayerni, ai kishte kaluar tek Union Berlini, fillimisht si huazim. Më pas kaloi te Sunderlandi, por as atje nuk shfaqi shumë. Pasoi huazimi te St. Galleni në Zvicër dhe tani transferimi te Hajduku.

“Është shumë mirë që jam këtu, përshtypjet e para për klubin dhe qytetin janë shumë të mira. Jam lojtar i ri me shumë zjarr në vete, lojtar që e do futbollin dhe paraqitjen për ekipe të mëdha. Në Gjermani dhe Angli kam krijuar përvojë. Ndonjëherë ishte mirë, ndonjëherë keq, por tani jam shumë më i përgatitur pasi kam kaluar nëpër shumë klube. Jam i lumtur që jam këtu”, ka thënë Dajaku ndër të tjera.

Te Hajduku paraqitet edhe Emir Sahiti. Hajduku ka shumë vjet që synon t’i japë fund dominimit të Dinamo Zagrebit në kampionatin kroat.