Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Jep dorëheqje bordi i KB Rahovecit

KB Rahoveci përmes faqes zyrtare në Facebook ka bërë të ditur se ka dhënë dorëheqje bordi i klubit.

“Klubi i Basketbollit Rahoveci ka mbajtur të enjten Kuvendin e rregullt të punës ku janë diskutuar raporti i punës dhe ai financiar. Para diskutimit është bërë një rikapitullim i punës dhe aktiviteteve të bordit, në vitet e fundit por edhe për vështirësitë financiare sidomos në muajt e fundit pas suspendimit të ligës. Në punimet e sotme të Kuvendit dorëheqje në tërësi kanë dhënë të gjithë anëtarët e deritanishëm të bordit”, thuhet në njoftimin e KB Rahovecit, transmeton KOHA.

Tutje thuhet se dorëheqja ka ardhur përkundër shumë përpjekjeve që të zgjidhen problemet financiare përçka ka qenë e pamundur, duke pasur parasysh edhe “situatën e pandemisë, por edhe rrjedhimisht mosndarjen e mjeteve të zotuara nga Komuna e Rahovecit, për çka ishte planifikuar buxheti për edicionin e kaluar”.

“Duka pasur parasysh gjitha këto pengesa e probleme, bordi ka marrë vendimin më të vështirë të mundshëm për t'u dorëhequr në kohën kur qyteti i Rahoveci por edhe basketbolli në tërësi ka shijuar një atmosferë tjetër me prezencën e skuadrës sonë”, thuhet në njoftim.

Kuvendi i KB Rahovecit në përfundim të punimeve ka marrë vendim që së shpejti të organizoj kuvendin e radhës për të zgjedhur organet e reja drejtuese të Klubit të Basketbollit Rahoveci.