Sport

Jakaj: Provokuesi serb mori përgjigjen në ring

Bernardin Jakaj - boksier ne Austri

Para meçit ka publikuar foto të shumta provokuese, me Kosovën si pjesë të Serbisë. Pas meçit ka publikuar foto me sy të ënjtur dhe plotësisht i rraskapitur.

Boksieri nacionalist serb, Marko Nikoliq, mori përgjigjen e duhur në ring. Atë ia dha boksieri shqiptar, Bernardin Jakaj.

Jakaj, që jeton në Austri, e mposhti boksierin provokator serb të premten mbrëma. Meçi i shumëkomentuar u zhvillua në Austri, ndërsa Jakaj fitoi me pikë pas dhjetë rundesh.

25-vjeçari Jakaj ishte dominant, ndërsa e rrëzoi serbin në rundin e tretë. Vazhdoi ta godas deri në raundin e dhjetë për ta mposhtur bindshëm me pikë.

“Ai na ka provokuar në rrjetet sociale, por nuk e kemi marrë afër zemrës sepse ne e shohim si sport këtë punë, jo të lidhur me luftën. Ai e ka marrë afër zemrës, por e mori atë që e kërkoi. E keni parë edhe vet përgjigjen që mori dhe nuk besoj se bën më provokime të asaj natyre”, ka thënë Jakaj të dielën për KOHËN.

Jakaj po ecën gradualisht në boksin profesionist. Ka 14 fitore deri më tani, prej tyre tetë me nokaut. Nuk është mposhtur ende. Nikoliq është 33-vjeçar dhe ka përvojë të gjatë. Në boksin profesionist ka 30 fitore e tri humbje.

“Normal që kam pasur motivim se ishte së pari kundër një serbi dhe e dyta nacionalist i rëndë. Ka qenë një motivim më ndryshe sesa kundër ndonjë kundërshtari tjetër, por shkoi mirë gjithçka dhe fitova meçin”, ka shtuar Jakaj.

Ai bokson në kategorinë gjysmë të rëndë. Ka synuar fitore me nokaut, por atë nuk e arriti.

“Të jem i sinqertë desha ta mbyll para kohës meçin, por edhe kështu ishte mirë. E rrëzova në raundin e

tretë. E dominova ndeshjen në dhjetë raunde dhe ka qenë luftë e mirë besoj edhe për shikuesit”.

Boksieri serb hyri në ring me sirenat që lëshoheshin në Serbi pasi nisnin bombardimet e NATO-s. Dhe u “bombardua” më pas me grushtet e shqiptarit. Në sallë shumica e tifozëve ishin shqiptarë.

“Kemi pasur shumë përkrahës tanë në Vjenë. Na kanë përkrahur shumë shqiptarët si aty si në rrjete sociale, të cilët i falënderojmë shumë”, tregon Jakaj.

Ai synon që të ngrihet tutje në boksin profesionist. Ka filluar 11 vjet më parë karrierën në kikboks, ndërsa një vit më pas kaloi në boks.

“Prej meçit të parë amator më ka hyrë në zemër. Pas pesë vjetësh në boksin amator kam hyrë në ‘profi’

dhe që nga ajo ditë nuk jam ndalur asnjëherë”.

Jakaj ka synime të mëdha. Dhe fitorja e së premtes natyrisht do t’i ndihmojë shumë në karrierë. Ai është larguar në vitin 2003 nga Kosova dhe është vendosur në Austri. Por vjen shumë shpesh në Kosovë.

“Besoj që sukseset nuk i kam arritur ato që i kam në plane. Synimi im është të bëhem kampion bote dhe besoj se nuk do të shkoj larg”, thotë ai me bindje.

Jakaj për momentin po e shijon famën që i solli fitorja ndaj boksierit serb. Do të pushojë pak kohëdhe më pas synon titullin e Evropës. E planifikon edhe një meç të madh deri në fund të vitit.