Istogu e humbi finalen e plejofit nga Ferizaj, ndërsa finalen e Kupës nga Vushtrria. Por, skuadra istogase e hendbollit ishte e vetmja te femrat që këtë vit kishte sukses në skenën evropiane. Dhe për këtë arsye, është shpallur klubi më i mirë i vitit 2020 në konkurrencë të femrave.
Në rundin e dytë të Kupës Evropiane, Istogu i fitoi bindshëm dy ndeshjet ndaj Vushtrrisë. Shorti bëri që dy skuadrat kosovare të takohen mes vete. Në rundin e tretë të Kupës Evropiane, Istogu në ndeshjen e parë e mposhti Victoria Berestien e Bjellorusisë me rezultat 33:30. Në ndeshjen e dytë pësoi 32:28 dhe nuk mundi të avanconte tutje. Por, paraqitjet e Istogut u vlerësuan.
Istogu është kampion vjeshtor në Superligën e Kosovës në hendboll, duke i fituar të gjitha ndeshjet.
“Është ky viti i dytë radhazi që Grupi KOHA na vlerëson me çmimin skuadra më e mirë e vitit në konkurrencën e femrave. 2020-ta ka qenë një vit i vështirë por gjithsesi arritëm ta përmbyllim në mënyrë të suksesshme. Ju falënderojmë shumë për vlerësimin dhe nderimin”, ka thënë hendbollistja e Istogut, Blerta Ahmetxhekaj.