Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, ka mësuar kundërshtarin e parë me të cilin do të përballet në kuadër të Ligës së Kampionëve. Në ndeshjen gjysmëfinale të turneut preliminar të Championsit, Drita do të përballet me ekipin Inter Club d’Escalades, që të enjten mbrëma u konfirmua kampion i Andorrës për sezonin 2019/20. Dueli mes Dritës dhe Interit të Andorrës do të zhvillohet në Nyon të Zvicrës më 8 gusht dhe fituesi do të kualifikohet në finale të këtij turneu preliminar. Në gjysmëfinalen tjetër do të luajnë Tre Fiori nga San Marino dhe Linfieldi i Irlandës së Veriut. Fituesi i këtij turneu do të kualifikohet në raundin e parë të Championsit. Drita para dy edicioneve e pati fituar këtë turne preliminar që ishte mbajtur në Gjibraltar, duke e mposhtur Santa Coloman (Andorra) në gjysmëfinale dhe Lincoln Red Imps në finale.
“Neve tash na presin ndeshjet kualifikuese të Ligës së Kampionëve dhe titulli i fituar në Kosovë na ka dhënë energji të mjaftueshme për ta përfaqësuar veten dhe futbollin e Kosovës në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë ditë më parë trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, pas titullit të fituar.
Për Dritën ky është titulli i tretë në histori të klubit, kurse hera e dytë që do të luajë në garën më elitare të Evropës. Për dallim prej Dritës, Inter Club d’Escalades ka fituar titullin e parë në histori në kuadër të Primera Division të Andorrës. Po ashtu, Interi për herë të parë do të paraqitet në garat evropiane. Si klub, Inter d’Escalades është themeluar në vitin 1991, saktësisht para 29 vjetësh dhe suksesin e fundit para titullit të fituar këtë edicion e kishte regjistruar në vitin 2002, kur kishte arritur në finalen e Kupës së Andorrës, të cilën e kishte humbur. Ky ekip vjen nga Escalades-Engorandy, që është vendbanimi më i madh në Andorrë me 14 mijë banorë. Prej vitit 1995, Interi ka marrë pjesë në elitën e futbollit të Andorrës deri në vitin 2005, kur përfundoi në pozitën e tetë dhe ra në një rang më të ulët garash. Megjithatë, klubi arriti të rikthehet në elitë në muajin maj të vitit 2017, kështu që ka edhe një titull kampioni të kategorisë së dytë të Andorrës. Në krye të ekipit është trajneri spanjoll Adolfo Baines Pilart, që ka marrë drejtimin e ekipit para fillimit të sezonit 2018/19. Qysh në edicionin e tij të parë si trajner e udhëhoqi Interin drejt pozitës së tretë në elitë dhe u shpall trajneri më i mirë për vitin 2019 nga Federata e Futbollit e Andorrës