Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Interi e Juventusi me udhëtime të vështira

Lideri aktual i Serie A të Italisë, Interi do ta ketë një udhëtim të vështirë në kuadër të xhiros së 11-të. Të shtunën prej orës 18:00, Interi do të përballet me Atalantan, ekip që edhe këtë edicion ka treguar paraqitje të mira. Aktualisht, Interi ka tubuar 25 pikë dhe i ka 6 më shumë se Atalanta që renditet e katërta në tabelë. Skuadra e trajnerit Simone Inzaghi ka pasur një ecuri të mirë kohët e fundit, ku ka regjistruar katër fitore e një barazim në pesë ndeshje të luajtura. Ndërkohë, Atalanta krahas tri fitoreve, e ka edhe një barazim e një humbje. Gjithashtu, në dy ndeshje të zhvilluara këtë vit, Interi e ka mposhtur dy herë Atalantan, në kuadër të kampionatit dhe Kupës së Italisë, duele këto të edicionit të shkuar.

Edhe Juventusi në këtë xhiro do të ketë një ndeshje të vështirë. Edhe Juventusi sikurse Interi, ka vetëm një humbje deri më tani në Serie A, ndërsa këtë xhiro do të jetë mysafir i Fiorentinës. Juventusi zë vendin e dytë në tabelë me 23 pikë, ndërsa Fiorentina është e gjashta me 17 pikë të tubuara. Për dallim prej Juventusit që në pesë ndeshjet e fundit kampionale ka katër fitore e një barazim, Fiorentina në këtë ndeshje futet pas dy humbjeve. Kjo ndeshje zhvillohet të dielën në Firencë prej orës 20:45.

Ndërkohë, skuadra e Milanit do të kërkoj të rikthehet te fitorja pasi në tri ndeshjet e fundit në të gjitha garat, ka marrë dy humbje dhe një barazim. Milani të shtunën e pret në shtëpi skuadrën e Udineses, ndeshje kjo që luhet në orën 20:45.

Kjo xhiro e kampionatit të Italisë, do të mbyllet të hënën, me ndeshjet Frosinone – Empoli dhe Torino Sassuolo.