Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Immobile po vazhdon të ëndërrojë për titullin e Italisë

Foto: Reuters

Sulmuesi italian Ciro Immobile ka thënë se Lazio do të vazhdojë të ëndërrojë për titullin e Italisë, ndërsa ai po ashtu ia ka vënë syrin rekordit të golave të shënuar brenda një edicioni në Serie A, të cilin rekord e mban Gonzalo Higuain.

Lazio zë vendin e dytë në Serie A me një pikë disavantazh nga lideri Juventusi. Kampionati në Itali, si edhe në shumicën e shteteve nëpër botë, është pezulluar shkaku i pandemisë së koronavirusit.

Stinori në Serie A po pritet të rinisë në fund të majit.

“Ambicia jonë mbetet e njëjtë, por është e qartë se nuk kemi menduar për futboll. Tash, duhet të përgatitemi mentalisht. Kemi edhe 12 ndeshje për të vazhduar ëndrrën”, ka thënë Immobile për “Sky Sport Italia”, transmeton Koha.net. “Është sikur fillimi i një kampionati. Do të jetë e vështirë, por do të bëjmë më të mirën, po ashtu që të kthejmë buzëqeshjen në fytyrën e njerëzve”.

Sulmuesi i Juventusit, Gonzalo Higuain kishte thyer rekordin e golave të shënuar brenda një edicioni në Serie A të Italisë derisa po luante me fanellën e Napolit në edicionin 2015-16. Ai kishte shënuar 36 gola atë edicion.

Immobile ka shënuar 27 gola në 26 ndeshje deri më tash dhe vazhdon të besojë se mund të thyej rekordin e Higuainit.

“Unë po stërvitem shumë për të arritur këtë rekord. Do të ishte fenomenale. Do të shohim se si do të jetë situata kur të rinisin garat. Do të jap më të mirën”, ka thënë Immobile.