Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Historia e klubit e bindi Vojvodën që t’i bashkohet Torinos

Mergim Vojvoda

Mbrojtësi i krahut të djathtë, Mërgim Vojvoda ka treguar se zgjodhi t’i bashkohet skuadrës së Torinos për shkak të historisë që ka ajo, pavarësisht ofertave tjera që i kishte para vetes. Këtë detaj Vojvoda e ka zbuluar në konferencën e parë për shtyp si lojtar i Torinos, të mbajtur të premten, një ditë pas prezantimit të tij te klubi nga Serie A.

Reprezentuesi i Kosovës firmosi kontratë katërvjeçare me Torinon që për shërbimet e tij pagoi 5.5 milionë euro dëmshpërblim. Ai iu bashkua Torinos nga ekipi belg, Standard Liege. Ishte bashkëlojtari te Standardi, portieri Jean-François Gillet që i foli mirë për Torinon, ekip për të cilin Gillet kishte luajtur për tri vjet.

Mirëpo, ishte portieri Samir Ujkani me të cilin është bashkëlojtar te Përfaqësuesja e Kosovës, që e bindi Vojvodën t’i bashkohet Torinos. Ujkani prej vitit të shkuar është pjesë e skuadrës nga Serie A.

“Kam biseduar me Gilletin, lojtarin me të cilin luajtëm te Standardi. Më tha që të mos mendohem dy herë, duke më thënë që t’i bashkohem Torinos. Kam folur më pas me trajnerin Marco Giampaolo dhe e kuptova që ai do të më ndihmojë të rritem edhe më shumë si futbollist”, ka thënë Vojvoda 25-vjeçar. “Së fundmi kam pasur kontakte edhe me Samir Ujkanin, që është kapiten i përfaqësueses tonë. Më foli shumë mirë për Torinon dhe kjo ndikoi në zgjedhjen time”.

Në fakt, për Vojvodën kanë qenë të interesuara disa ekipe evropiane. Në mesin e tyre ishte edhe Atalanta që edicionin e fundit arriti deri në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, garë në të cilën do të luajë edhe sezonin e ri. Nuk mungoi interesimi as nga Lazio e Fiorentina, por Vojvoda tregoi arsyen pse zgjodhi Torinon.

Edhe Vojvoda transferohet tek Udinese Futboll 1 j. më parë Vojvoda transferohet tek Udinese

“I falënderoj të gjithë për interesimin. Më kanë kërkuar edhe shumë ekipe tjera. Atalanta do të ishte zgjedhje e mirë pasi luan në Ligën e Kampionëve. Por, zgjodha Torinon për shkak të historisë që e ka”, pranoi Vojvoda.

Skuadra e Torinos ka histori të madhe në futbollin italian pasi ka fituar shtatë tituj kampioni dhe pesë kupa të këtij shteti. Vojvoda ka thënë se i është bashkuar Torinos për ta ndihmuar që ta kthejë lavdinë e së shkuarës.

“Duhet të luajmë ndeshje për ndeshje. Të shohim se ku do të përfundojmë. Më mirë është që të mos vendosim synime tani. Duhet ta japim më të mirën. Dhe në fund, nëse e arrijmë Evropën, do të thotë se e kemi dhënë më të mirën patjetër”, tha ai duke pranuar se kalimi në Serie A është një lëvizje shumë e madhe për shkak se liga italiane është ndër kampionatet më të rëndësishme në Evropë.

“Unë mund t’i mbuloj disa role. Pozita ime e preferuar është në krahun e djathtë, por në karrierën time kam luajtur dhjetë vjet si qendërmbrojtës. Së fundmi e kam bërë edhe me Standardin”, u shpreh Vojvoda.

Vojvoda te enjten ka mbajtur stërvitjen e parë me Torinon dhe është mirëpritur nga të gjithë në klub. Ai e ka parasysh se futbolli italian është shumë taktik dhe beson se kjo do t’ia mundësojë të zhvillohet edhe më shumë si lojtar. Mirëpo, Vojvoda ka pranuar se ardhja deri në këtë pikë të karrierës nuk ka qenë aspak e lehtë. Ai vjen nga një familje patriotike për çka edhe është krenar.

Edhe Udinese ofron 1 milion euro për Vojvodën Futboll 2 j. më parë Udinese ofron 1 milion euro për Vojvodën

“Nuk ka qenë histori e lehtë, por asnjë histori nuk është e lehtë. Jam krenar që e kam përjetuar atë kohë dhe që e kam jetuar. Kjo më bëri të rritem më i fortë. Babai im ka qenë ushtar dhe ne duhej të largoheshim nga Kosova për këtë gjë. Të gjitha këto më kanë bërë me karakter të fortë. Jam krenar për historinë time”, shtoi ai.

Vojvoda karrierën si senior e ka nisur te ekipi i dytë i Standardit përpara se të huazohej te Sint-Truidense dhe Carl Zeiss Jena. Iu bashkua Mouscronit në vitin 2016 ku i kaloi tri vjet. Sezonin e fundit e luajti te Standardi ku në 30 ndeshje shënoi një gol dhe asistoi katër herë. Ai debutoi në qershor të vitit 2017 te Kosova dhe deri më tash ka shënuar një gol në 22 paraqitje për “dardanët”.