Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Hera e vetme kur Mourinho qau për shkak të humbjes

Trajneri portugez, Jose Mourinho ka treguar se kur ishte hera e vetme që ka qarë pasi ka humbur një ndeshje. Ka thënë se bëhet fjalë për kohën sa ishte te Real Madridi dhe humbja nga Bayern Muencheni në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve në vitin 2012.

Gjiganti gjerman kishte avancuar në finale pasi e mposhti Madridin me penallti. Ndeshja e kthimit kishte shkuar në vazhdime dhe penallti, pas fitores 2:1 të skuadrës së Mourinhos gjatë 90 minutave lojë.

Ndeshja e parë e luajtur në Gjermani kishte përfunduar 2:1 për Bayernin, ndërsa në ndeshjen e kthimit Cristiano Ronaldo shënoi dy gola brenda 14 minutave. Por Arjen Robben shënoi penallti në minutën e 27-të për të barazuar gjërat. Më pas Ronaldo, Kaka dhe Sergio Ramos dështuan nga pika e bardhë.

Duke folur për atë disfatë, trajneri aktual i Tottenhami, ka thënë për Marca: “Për fat të keq ky është futbolli. Cristiano, Kaka, Sergio Ramos ... tre kolos të futbollit, nuk ka dilema për këtë, por ata janë po ashtu njerëz. Ajo mbrëmje është e vetmja në karrierën time si trajner kur kam qarë pas një humbje. E kujtoj mirë. Aitor (Karanka, ndihmësi i Mourinhos atëbotë) dhe unë jemi ndalur para shtëpisë sime, në veturë, dhe kemi qarë”.

Mourinho ka thënë se ishte e vështirë, pasi Reali ishte skuadra më e mirë atë edicion.

Reali kishte fituar titullin e La Ligas atë edicion duke mbledhur 100 pikë, nëntë më tepër se Barcelona.