Hendbollistët e Përfaqësueses së Kosovës kanë qenë të pafuqishëm përballë atyre të Suedisë. “Dardanët” e pësuan edhe disfatën e dytë në kuadër të fazës së dytë kualifikuese për Kampionatin Evropian të vitit 2022.
Kosova pësoi humbje të thellë të dielën mbrëma në Prishtinë nga Suedia, 30:16.
Ishte kjo ndeshja e vetme e zhvilluar në Kosovë në fundjavë pas masave të Qeverisë së vendit për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Qeveria pezulloi të gjitha ndeshjet e këtij vikendi, si në hapësira të hapura, ashtu edhe në ato të mbyllura.
Por, Kosova megjithatë e luajti këtë ndeshje të rëndësishme përballë superfuqisë së hendbollit, Suedisë.
Kosova humbi edhe të mërkurën në Podgoricë nga Mali i Zi, kurse suksesin do ta kërkojë në ndeshjet e vitit të ardhshëm, thotë kapiteni i Kosovës, Valon Dedaj.
“E kemi filluar shumë mirë, sidomos në sulm dhe në mbrojtje kemi luftuar së bashku. Më pas e pamë se ata kanë shumë kualitet të lartë, sepse edhe luajnë në ligat më të forta në botë si në Bundesligë e në Poloni. Pjesa e parë për mua ka qenë shumë e mirë, e suksesshme, edhe në mbrojtje edhe në sulm. Në pjesën e dytë e kemi pasur të vështirë, pasi edhe nuk kishim më fuqi. Ata mundën t’i ndërronin lojtarët ndërsa ne mundeshim të luanim me 8-9 lojtarë. Aty është vërejtur mungesa e disa lojtarëve për shkak të lëndimit, por loja ka qenë e mirë deri diku”, ka thënë Dedaj.
Kosova në mars të vitit të ardhshëm do t’i luajë dy ndeshje kundër Rumanisë, derisa në prill ndaj Malit të Zi dhe në maj luan ndaj Suedisë.
“Shpresoj të marrë fund sa më shpejt pandemia, sepse neve na mungojnë shumë shikuesit. Neve në Kosovë me shikues çdo ekip na ka frikën dhe ne marrim më shumë zemër kur kemi tifozë. Besoj se me Rumaninë në Kosovë do të fitojmë. Nuk janë shumë më të mirë se ne, por ne jemi luftarakë. Besoj se kur të jenë ndeshjet kthyese në muajin mars, do të kemi suksese me Rumaninë dhe me Malin e Zi”, është shprehur Dedaj.
Kryetrajneri i Kosovës, Javier Cabanas, që zëvendësoi përzgjedhësin Taip Ramadani, ka thënë se Suedia u tregua e fuqishme në kundërsulme. Ramadani nuk ka mundur të udhëtojë nga Australia.
“Mendoj se ne nuk kemi qenë të mirë në fazën e sulmit. Mendoj se kemi pasur shumë probleme ta sulmojmë mbrojtjen 6:0 të Suedisë. Dhe kur ne nuk kemi shënuar gol ose kur e kemi humbur topin, ata e kishin kundërsulmin shumë të mirë. Shumë gola të shënuar të Suedisë kanë qenë nga kundërsulmi. Sipas mendimit tim, ne kemi qenë mirë në mbrojtje, por jo edhe në sulm. Në pjesën e dytë ne kemi humbur shumë topa dhe ky ka qenë problemi. Vendimtare ishte kur ata kaluan në epërsi prej dhjetë golash”, është shprehur Cabanas.
Kosova ishte e barabartë me Suedinë vetëm në fillim të pjesës së parë. Madje kaloi edhe në epërsi prej dy golash, por shpejt lojtarët suedezë e morën lojën në dorë dhe epërsinë nuk e lëshuan deri në fund të takimit. Ishin dominues si në fazën e mbrojtjes ashtu edhe në sulm.
Te Kosova me nga katër gola e mbyllën ndeshjen Kastriot Jupa dhe Egzon Gjuka, derisa me më së shumti gola të shënuar te Suedia ishte Lucas Pellas. Ai realizoi plot nëntë gola.
“Jam shumë i lumtur që fituam ndeshjen, veçanërisht me mbrojtjen. Prej minutës së tetë ishim të fokusuar dhe agresivë. Kemi luajtur me intensitet të lartë, kështu që jam shumë i lumtur me mbrojtjen”, thotë selektori i Suedisë, Gllen Solberg.
Në fakt, Suedia është favorite absolute e grupit. Ka dëshmuar cilësitë në dy ndeshjet e deritashme. Të enjten fitoi ndaj Rumanisë.
“Kemi luajtur ndeshje shumë të mirë. Kemi pasur mbrojtje të mirë dhe kemi bërë atë të cilën e kemi biseduar para ndeshjes. Ka pasur shumë intensitet në mbrojtje. Kemi bërë një gjë të mirë besoj. Kosova luftoi shumë dhe ishte shumë e mirë me lojtarë individualë. Ka qenë ndeshje e fortë dhe jemi përgatitur që të luanim mirë”, ka thënë hendbollisti i Suedisë, Kassem Awad.