Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Gut-Behrami barazon me fitore suedezen Paerson

Prej lëshimit në Super-G e deri te sllallomi i madh brenda pak ditëve. Dhe derisa garat po zhvillohen skitarja Lara Gut-Behrami po bëhet gjithnjë e më e shpejtë.

Zvicerania shënoi fitoren e saj të dytë në tri ditë, kur të martën triumfoi në sllallomin e madh, duke fituar garën e saj të 42-të të Kupës së Botës dhe për t’u barazuar me suedezen Anja Paerson në vendin e gjashtë në listën e skitareve më të suksesshme të të gjitha kohërave.

Në një paraqitje dominuese në Dolomitet italiane, Gut-Behrami kryesoi për 59 të qindtat pas lëshimit të parë dhe ishte edhe më e shpejtë në lëshimin e dytë, për të triumfuar me 1.09 sekonda ndaj nënkampioneve të përbashkëta Alice Robinson dhe Sara Hector .

“Është çmenduri të bësh diçka të tillë (barazimi me Paersonin) është e pabesueshme”, tha Gut-Behrami, ndërsa vazhdon të ndërtojë trashëgiminë e saj si një nga skitaret më të mëdha të të gjitha kohërave.

“E di që atë që dua të bëj në karrierën time e kam bërë tashmë”, tha kampionia olimpike në fuqi në disiplinën Super-G. Gut-Behrami ka treguar se mund të tërhiqet pas sezonit 2025/26.

“Po përpiqem të shijoj vitet e mia të fundit. Nëse fitoj është mirë, nëse jo, përpiqem të argëtohem të paktën”.

Gut-Behrami i bëri të dyja të martën, duke shfrytëzuar një paraqitje të shkëlqyer në lëshimin e parë për të kaluar në krye dhe duke u ndarë nga grupi ndjekës.

Gjatë lëshimit të dytë, Gut-Behrami ndërtoi avantazhin e saj me disa kthesa fenomenale në fillim të shtegut të pjerrët.

“Ka disa vjet që jam duke punuar në sllallom të madh dhe mendoj se kjo është baza më e mirë për mua. Pra, është disiplina më e rëndësishme”, tha ajo pas fitores së tretë në disiplinën e sllallomit të madh këtë sezon.

Fitorja mbylli një fundjavë të gjatë garash rraskapitëse për Gut-Behrami, e cila doli e dyta dhe e pesta në dy lëshimet në Cortina d'Ampezzo të premten dhe të shtunën përpara se të fitonte garën Super-G të dielën.

“Mendoj se kanë qenë disa ditë interesante”, tha ajo. "Jam i lumtur për paraqitjet e mia”.

Fitorja bëri që Gut-Behrami të rriste epërsinë në renditjen e sllallomit të madh në 85 pikë ndaj italianes Federica Brignone, e cila doli e gjashta të martën.

Me Gut-Behramin që fitoi komod, drama e vërtetë ishte barazimi i vendit të dytë midis Robinsonit dhe Hectorit, të cilat ishin gjithashtu të barabarta edhe në lëshimin e dytë.

“Jam vërtet e kënaqur me vendin e arritur dhe skijimin tim”, tha Robinson, 22-vjeçarja nga Zelanda e Re, e cila arriti në podiumin e saj të tretë në sllallomin e madh këtë sezon. “Ndihem sikur jam në një pozicion shumë të mirë ku mund të skijoj me 95 për qind dhe ende të jem e shpejtë”.

Edhe suedezja Hector arriti podiumin e saj të tretë në sllallomin e madh këtë sezon dhe duket se po kthehet në formën që e pa atë të fitonte medaljen olimpike në këtë disiplinë në vitin 2022.

Me gjithë rezultatet e saj mbresëlënëse të fundit, Hector pranon se Gut-Behrami mbetet favoritja më e madhe.

“Lara po skijon shumë bukur dhe sigurisht se do të jetë shumë vështirë për ta kapur atë”, pranoi Hector.

Artikuj të ngjashëm