Pas një dekade zhgënjimi, Pep Guardiola është kthyer në finalen e Ligës së Kampionëve dhe është vetëm një ndeshje larg nga përmbushja e detyrës së tij, për ta bërë Manchester Cityn për herë të parë kampion të Evropës.
Në betejën ndërmjet dy klubeve me burime të pafundme financiare, por pa tituj të Ligës së Kampionëve, City mbajti qetësinë për ta eliminuar Paris Saint-Germainin 4-1 me rezultatin e përgjithshëm në serinë gjysmëfinale. Riyad Mahrez, i lindur dhe i rritur në Paris, shënoi dy herë për të siguruar një fitore 2:0 për Cityn në ndeshjen e kthimit të luajtur të martën mbrëma para se kartoni i kuq i Angel di Marias për goditjen ndaj Fernandinhos, të rrumbullakoste një tjetër eliminim të mjerueshëm evropian për kampionin e Francës. Arritja në finalen e Championsit që do të mbahet më 29 maj në Stamboll, është kulmi i ngritjes së klubit qëkur u fut në pronësi të pronarëve nga Abu Dhabi në vitin 2018, që transformuan fatin e Cityt. Në ditët në vijim, City do të zyrtarizojë titullin e pestë në Premier League në dekadën e fundit. Dikur i quajtur “fqinji i zhurmshëm” nga ish-menaxheri legjendar i Manchester Unitedit, Alex Ferguson, City tani nuk është vetëm forca dominuese në Manchester, por edhe në futbollin anglez. Deri në fund të muajit, përzierja e pasurisë Emirate dhe trajnimi i Guardiolas mund të ketë pushtuar Evropën.
“Sigurisht që ne investojmë shumë para qëkur Sheik Mansouri mori përsipër ekipin, por nuk është vetëm kjo. Janë shumë gjëra të pabesueshme në prapaskenë”, tha Guardiola. “Arritja në finale e Ligës së Kampionëve, na ndihmon të kuptojmë në një pamje më të gjerë atë që kemi bërë në katër vjetët e fundit. Ajo që kemi bërë këto katër vjet është e pabesueshme”.
Që prej një viti të parë të vështirë në Angli, Guardiola e ka udhëhequr Cityn në katër Kupa të Ligës, një Kupë FA dhe është në prag të titullit të tretë të Premier Leagues në katër sezone në krye të ekipit.
Sidoqoftë, deri më tani, suksesi i brendshëm gjithmonë vinte me paralajmërimin për eliminim në Ligën e Kampionëve. Guardiola e ka fituar dy herë Championsin si trajner gjatë kohës që ishte te Barcelona, por jo që nga viti 2011. City, madje nuk shkoi përtej 1/8 së finales në katër sezonet e tij të para në krye.
Ishte një histori e ngjashme për Guardiolan në tre vjetët e tij në Bayern Mynih (2013 – 2016) pasi tre tituj kampioni të Bundesligës u hodhën në hije nga tri gjysmëfinale të humbura përballë ekipeve spanjolle.
Edhe
City po i afrohet lavdisë së shumëpritur
“Njerëzit besojnë, sepse ndodhi në të kaluarën, unë duhet të arrij çdo vit në finalen e Ligës së Kampionëve”, shtoi Guardiola. “Kjo është paksa e padrejtë, sepse qëndrueshmëria që këta njerëz kanë treguar në çdo garë këto katër apo pesë vjetët e fundit, është e jashtëzakonshme”.
Arritja e Cityt deri në finale të Championsit nuk ishte aspak e lehtë. Shanset e humbura, vendimet e diskutueshme të arbitrave dhe mbrojtja e ngathët, i kushtoi shumë në sezonin e fundit.
“Për të arritur në finale në këtë garë është shumë e vështirë. Është gara më e vështirë për cilësinë e kundërshtarëve, qetësinë që duhet të keni dhe të vuani momentet më të vështira. Ne e bëmë atë”, insistoi Guardiola. Nëse City triumfon në finalen e Stambollit, atëherë Guardiola do të jetë në mesin e një grupi të zgjedhur prej vetëm tre trajnerëve të tjerë - Bob Paisley, Carlo Ancelotti dhe Zinedine Zidane – që e kanë fituar nga tri herë Kupën e Evropës. Me tashmë 25 trofe të mëdhenj në emrin e tij në vetëm 12 sezone në krye të Barças, Bayernit dhe Cityt, Guardiola 50-vjeçar mund të heshtë çdo dyshues të qëndrueshëm dhe të forcojë statusin e tij si një nga trajnerët më të mëdhenj të të gjitha kohërave me fitoren në Stamboll.