Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Grezda sheh shpëtimin te kthimi i padëshiruar

Eros Grezda është kthyer në shtëpi, por është një kthim që më së paku e ka dëshiruar futbollisti kosovar. Kur më 31 gusht të vitit 2018 kaloi nga Osijeku kroat te Rangersi i famshëm skocez, 24-vjeçari bëri hapin e madh në karrierë. Pritjet ishin që ai hap i madh të pasohej me hapa të tjerë në drejtim të niveleve të larta.

Kjo megjithatë nuk ndodhi. Grezda nuk ia doli të depërtonte te Rangersi dhe më shumë bëri bujë për gjëra jashtë futbollit se për gola e asistime. Të martën lëvizi në drejtim të kundërt. Nga Rangersi i famshëm skocez u transferua tek Osijeku, që nuk është prej klubeve më të mëdha të Kroacisë, transmeton Koha Ditore. 

“Le të ngrihemi sërish”, ka shkruar Grezda në rrjetet sociale të martën, pasi kompletoi transferimin te Osijeku. Një ngritje e dytë nga Osijeku për në nivelin e lartë evropian megjithatë është më e vështirë. Kthimi nga Rangersi në Osijek është vlerësuar hap i madh prapa për Grezdën nga mediat kroate. Grezda është vlerësuar përforcim i madh për Osijekun.

Është bërë e ditur se Grezdën e kanë kërkuar edhe Hajduku e Rijeka në Kroaci, katër skuadra turke dhe një nga Qiproja. Por ai vendosi të kthehej tek Osijeku, ku ishte paraqitur me sukses para kalimit në Skoci.

“Nuk ishte vendim i vështirë, ashtu si mund të mendojë dikush. Në Osijek para se të shkoja në Skoci, kam kaluar shumë mirë. Marrëdhënia me tifozët ishte shumë e mirë. Jam ndier shumë mirë në klub dhe në qytet dhe këtë kthim nuk e përjetoj assesi ndryshe pos si kthim në shtëpi”, ka thënë Grezda në konferencën për shtyp, në të cilën u prezantua si lojtar i ri i Osijekut.

Grezda ka firmosur për tre vjet me Osijekun. Transferimi i tij është bërë për një dëmshpërblim simbolik, ka njoftuar Osijeku....(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)