Sport

Greenwood, ylli i ardhshëm i Manchesterit

Manchester United ka shpenzuar më shumë se një miliardë euro për transferimin e lojtarëve të rinj gjatë nëntë vjetëve të fundit, por ringjallja e “Djajve të Kuq” pas rifillimit të sezonit, që u pezullua për tre muaj shkaku i pandemisë COVID-19, i ka borxh shumë një superylli të rritur në shtëpi. Bëhet fjalë për sulmuesin 18-vjeçar, Mason Greenwood apo të diplomuarin në akademinë e Manchester Unitedit, shkruan agjencia AFP.

Sulmuesi i ri, Greenwood ishte yll i ndeshjes në fitoren e fundit të Manchester Unitedit ndaj Bournemouthit, të zhvilluar vikendin e shkuar në “Old Trafford”. Në këtë ndeshje, Manchesteri shënoi pesë gola dhe kjo ishte hera e parë që nga viti 2011 që “Djajtë e kuq” kishin realizuar kaq shumë gola në një ndeshje si vendas.

Greenwood e shkundi mirë rrjetën e Bournemouthit, së pari me këmbën e majtë dhe pastaj me të djathtën në fitoren 5:2, ku Manchesteri shfaqi një stil të lojës, i cili nuk është parë që nga dalja në pension e Sir Alex Fergusonit në vitin 2013. Në sezonin e tij të parë me ekipin e parë, Greenwood ka shënuar 15 gola, pavarësisht se vetëm në 18 ndeshje ishte titullar në të gjitha garat.

Trajneri i Manchesterit, Ole Gunnar Solskjaer, është shumë i kënaqur me sulmuesin e ri, të cilit tashmë ia ka vënë nofkën “vrasësi me fytyrë fëmije”, për shkak të aftësisë së tij të përfundimit të aksionit. Madje, e vlerëson talentin e fundit të klubit si “një nga më të mirët - nëse jo më i miri”.

“Në fakt, ky është lojtari me përfundimin më të mirë të aksionit me të cilin kam punuar ndonjëherë. Thjesht, është i jashtëzakonshëm dhe jam i lumtur që e kemi në ekip”, tha ai.