Mesfushori Jack Grealish, tha se po e shijon statusin si lojtari më i shtrenjtë anglez, pasi iu bashkua kampionit të Premier Leagues, Manchester Cityt nga Aston Villa.
Grealish javën e shkuar u zyrtarizua te City, ekip që pagoi 117.5 milionë euro dëmshpërblim për kartonin e tij. Gjithashtu, Grealish u bë edhe lojtari më i shtrenjtë në histori të Premier Leagues, pasi theu rekordin e Paul Pogbas në vitin 2016, për të cilin Mancheser Unitedi i pagoi Juventusit 105 milionë euro. Grealish firmosi kontratë me Cityn deri në vitin 2027 dhe ishte kërkesë e trajnerit Pep Guardiola.
“Faktikisht më pëlqen që jam lojtari më i shtrenjtë dhe dua ta mbaj këtë vulë”, tha Grealish 25-vjeçar, i cili u prezantua të hënën në “Etihad Stadium”. “Për mua do të thotë shumë që City u mundua dhe pagoi aq shumë për të më transferuar, pasi më mbush me vetëbesim. Kjo është vetëm një dëshmi se sa shumë më vlerëson klubi dhe trajneri. Unë vetëm shpresoj që këtë t’ua shpaguaj me paraqitje të mira dhe të ndihmoj në fitimin e të gjithë trofeve të mundshëm”.
E trofeu që Grealish po e lakmon më së shumti me fanellën e Cityt, është ai i Ligës së Kampionëve. Skuadra e Cityt ende nuk ka arritur ta pushtojë Evropën, përkundër se e ka fituar pesë herë titullin e kampionit në Premier League në dhjetë vjetët e fundit. Grealish thotë se mundësia për të luajtur në nivelet më të larta të Evropës dhe për të mësuar nga trajneri Pep Guardiola, ishte rast tepër i mirë për ta refuzuar.
“Ishte njëri prej vendimeve më të vështira që e kam marrë ndonjëherë në karrierë”, tha Grealish, i cili u largua nga Aston Villa, ekip të cilit iu bashkua në moshën gjashtëvjeçare. “Megjithatë ishte një ofertë që nuk mund ta refuzoja. Të luash në Ligën e Kampionëve, të sfidosh trofetë dhe të jesh bashkëlojtar me Kevin De Bruynen ishte diçka fantastike. Mbi të gjitha të kesh trajner Guardiolën. Ishte ky një rast që nuk doja ta humbisja”.
Grealish pati një rol të vogël te Anglia, që arriti për herë të parë në finale të një turneu të madh pas 55 vjetësh – në “Euro 2020”. Anglia pësoi humbje në finale nga Italia pas penalltive.
Edhe
Grealish huazohet tek Evertoni
Duke luajtur për Cityn në sezonin 2021/22, Grealish thotë se do të ketë mundësi të përgatitet edhe më mirë për Kampionatin Botëror “Katari 2022”. Madje, ai beson se mund të stabilizohet si titullar i rregullt në përbërjen e përzgjedhësit Gareth Southgate.
“Kemi një ekip të talentuar. Dhe, deri te Botërori, unë do të luaj pothuajse çdo javë te City, kështu që do të jem edhe më i fortë dhe më i gatshëm. Mendoj se më pret një e ardhme e ndritur tek Anglia, duke luajtur për Cityn. Me padurim po i pres ndeshjet eliminatore”, insistoi Grealish.
Grealish te City do të bashkohet me shokët e tij të Anglisë, Raheem Sterlingun, Phil Fodenin, John Stonesin e Kyle Walkerin. Madje, ka gjasa që ai te City të jetë edhe bashkëlojtar me kapitenin e Anglisë, Harry Kane që po përflitet kohët e fundit se ka gjasa të mëdha të jetë nën urdhrat e Guardiolas. Grealish shpreson që edhe Kane t’i bashkohet te City, por thotë se është i fokusuar të ndeshja e parë sezonale. Grealish zyrtarisht debutoi te City vikendin e shkuar në ndeshjen e “Community Shield”, të cilën e fitoi Leicesteri 1:0. Në këtë takim, Grealish luajti 25 minuta. City të dielën luan në udhëtim te Tottenhami në kuadër të xhiros së parë.