Qendërmbrojtësi i Uruguait, Diego Godin do të largohet nga skuadra e Cagliarit gjatë janarit. Lajmin e largimit nga ekipi italian e ka konfirmuar vet Godin, i cili ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje me krerët e klubit për shkëputjen e kontratës që i skadon në vitin 2023.
Madje, Godin nuk është përfshirë fare në ekipin e Cagliarit për ndeshjet e fundit dhe gjasat janë të mëdha që ai të kthehet në La Liga, te Atletico Madridi. 35-vjeçari ka luajtur nëntë sezone për Atleticon përpara se të largohej nga ekipi spanjoll në vitin 2019 për t’u transferuar te Interi. Ai është pjesë e Cagliarit prej vitit të shkuar.
“Do të largohem nga Cagliari në janar. Aventura ime këtu ka përfunduar pas shumë problemeve dhe brenda dhjetë ditësh do të jem në gjendje ta zbulojë klubin tim të ri”, ka thënë Godin, i cili këtë sezon ka 12 paraqitje te Cagliari.