Tenisti serb, Novak Gjokoviq është gjobitur me 10.000 dollarë shkaku i sjelljeve josportive gjatë US Open, prej të cilit u diskualifikua pasi goditi e qëlloi gjyqtaren me top, pas një aksioni në setin e parë të meçit kundër spanjollit Pablo Carreno Busta.
Shuma, sipas AP, është përgjysmë më pak se që mund t'i shqiptohet një tenisti për sjellje josportive sipas rregulloreve.
Ky është dënim shtesë, pasi atij i janë ndalur edhe 250 mijë dollarë sa ishte paraparë të fitonte për arritje në 1/8 e finales. Po ashtu Gjokoviqi u gjobit me 7500 dollarë për mungesë në konferencë pas ndeshjes, duke dërguar shifrën totale të gjobës në 267.500 dollarë.
Gjokoviq nga zemërimi goditi topin fortë dhe e qëlloi një gjyqtare me top. Ai menjëherë kërkoi falje dhe qëndroi pranë gjyqtares dhe pati një bisedë të gjatë me referin e turneit. Sipas rregullave Gjokoviq u diskualifikua.
Gjokoviq ia shtrëngoi dorën spanjollit Carreno Busta, që kaloi tutje. Spanjolli ishte i befasuar.