Sport

Gjimshiti është bërë kyç në Kombëtare e klub pas periudhave të vështira

Vendimi i Gianni de Biasit para paraqitjes debutuese të Shqipërisë në kampionatin evropian, atë të vitit 2016, kishte bërë bujë. De Biasi kishte ftuar 27 futbollistë në grumbullimin për Evropian, ndërsa disa ditë para se të niste kjo ngjarje e madhe e zhvilluar në Francë, kishte vendosur për 23 futbollistët që do ta përfaqësonin Shqipërinë.

Kështu jashtë mbetën Berat Gjimshiti, Amir Rrahmani, Herolind Shala e Milot Rashica. Vendimi i italianit De Biasi u vlerësua shumë i vështirë, ndërsa ai u mor vetëm dy orë para fundit të afatit për caktim të ekipit final, shkruan “Koha Ditore”. Vendimi ishte i vështirë, u prit rëndë nga lojtarët e larguar e po ashtu u përcoll me reagime nga më të ndryshmet.

Derisa mbetja jashtë e Rrahmanit e Shalës u vlerësua të jetë pritur, pati dilema për vendimin e De Biasit për Rashicën e Gjimshitin. Rashica e pranoi keq atë vendim dhe muaj më vonë vendosi që të lërë Shqipërinë dhe të bashkohet me Kosovën.

Njëjtë vepruan edhe Rrahmani e Shala, ndërsa i vetmi prej të larguarve për evropian që vazhdoi të luante për Shqipërinë ishte mbrojtësi i qendrës, Gjimshiti. Gjimshiti është me prejardhje nga Lugina e Preshevës, por besohet se do të fitonte të drejtën të luante për Kosovën, nëse do të vendoste njëjtë si Rashica, Rrahmani e Shala, që tani janë të rëndësishëm te Kosova. Por ai mbeti te Shqipëria dhe vazhdon të luajë ende për kuqezinjtë.

Për Gjimshitin ishte vlerësuar se ka humbur garën me Frederic Veselin dhe Naser Alijin për një vend në Evropian. Vendimi ishte arsyetuar me stinorin e vështirë që kishte pasur mbrojtësi në nivel klubesh.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)