Skitarja zvicerane Michelle Gisin e ka fituar medaljen e artë në kombinim. Gisin 28-vjeçare ishte e 12-ta në lëshim por në sllallom ishte fantastike dhe shumë e shpejtë për të përfunduar e para.
Zvicerania pati kohë prej 2 minutave e 25.67 sekondave për ta fituar medaljen e artë, duke e lënë parapa Wendy Holdenerin (2:26.72) që e fitoi të argjendtën dhe Federica Brignonen (2:27.52) që doli e bronztë.
Në fakt, të tri skitaret kanë të fituar edhe nga një medalje në Pekin. Gisin e ka të bronztën në super-G, Holdener të bronztën në sllallom kurse Brignone të argjendtën në sllallom të madh.
Me të artën e fituar nga Gisin, Zvicra ka vendosur rekord. Kjo ishte medalja e pestë e artë për Zvicrën në skijimin alpin në Pekin dhe asnjë shtet tjetër nuk ka fituar më shumë medalje të arta në një Olimpiadë.
Ndërkohë, amerikania Mikaela Shiffrin që në kombinim e kishte fituar të argjendtën para katër vjetësh, të enjten dështoi.
Shiffrin nuk arriti ta përfundojë garën. Ajo ishte e pesta në lëshim por në sllallom doli nga shtegu. Amerikania në Pekin ka pasur një periudhë të vështirë pasi ka dështuar në të gjitha disiplinat që është paraqitur deri më tani. Ajo doli jashtë shtegut edhe në sllallom e sllallom të madh, disiplina në të cilat ishte favorite. Pastaj, doli e nëntë në super-G dhe e 18-ta në lëshim.