Selektori i Kosovës, Alain Giresse ka folur për sajtin zyrtar të FFK-së lidhur me shortin e kualifikimeve për Euro 2024. Shorti është tërhequr të dielën në Frankfurt, ndërsa Kosova është në grup me Zvicrën, Izraelin, Rumaninë, Bjellorusinë dhe Andorrën. Dy të parët në grup kualifikohen në Evropianin që mbahet në Gjermani. Shpresat e Giresse janë se Kosova mund të kualifikohet.
“Tani kemi verdiktin e shortit dhe e kemi këtë grup. Duhet të shohim si mund të kualifikohemi. Mund të ishte një grup më i vështirë, por nuk do të thotë se jemi të magjepsur. Sidoqoftë, mendoj se mund t’i japim vetes ambicien për të arritur një paraqitje të bukur në këtë grup. Sigurisht, do të kemi një ndeshje speciale e ajo është ndeshja kundër Zvicrës, pasi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe mes dy popujve janë të veçanta. Tani na mbetet të përgatitemi mirë, t’i vëzhgojmë kundërshtarët tanë dhe të përgatitemi për të qenë në kushtet më të mira që nga muaji mars dhe për ta filluar këtë cikël kualifikimesh me ambicie”, ka theksuar Giresse. Ndërkohë kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka theksuar se synimi mbetet kualifikimi.
“Uroj që ta kemi ekipin mirë me shëndet dhe pa lëndime në muajin mars. Grupi është korrekt. Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi në të gjitha drejtimet për t’u kualifikuar. Është momenti ynë. Na priftë e mbara dhe pres përkrahjen e të gjithëve, të institucioneve, të Dardanëve, të komunitetit të futbollit dhe gjithë faktorit shqiptar në vend dhe sidomos Diasporës tonë. Kombëtarja e Kosovës është e të gjithëve pa dallim. Të gjithë e kemi të drejtën dhe rolin e barabartë në këtë pikë“, ka thënë Agim Ademi.