Ende është larg ndeshja e Zvicrës së Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit me Serbinë. Por gazetarët serbë kanë nisur shumë herët përpjekjet për të nxjerrë ndonjë fjalë nga kapiteni i Zvicrës, Xhaka. Deri më tani nuk kanë arritur ndonjë gjë, shkruan Blick të premten mbrëma.
Sipas gazetës së madhe zvicerane, gazetarët nga Serbia të vendosur në Katar, tashmë kanë nisur ta rrethojnë Xhakën. Por ai po ruan qetësinë.
Blick ka përshkruar se si Xhaka i relaksuar ka dhënë intervista pas ndeshjes me Kamerunin.
“Disa gazetarë vijnë nga Serbia. Ata bënin pyetje jo shumë të rëndësishme para se të flasin për duelin ndaj Serbisë. Xhaka qëndroi i qetë, vlerësoi forcën e skuadrës së re të Serbisë dhe nuk lejoi të provokohet. Serbët e ndjekin, derisa kjo filloi të bëhet e tepërt për drejtorin e mediave në Federatën zvicerane, Adrian Arnold. ‘Ne luajtëm me Kamerunin dhe tani do të përballemi me Brazilin. Ne ndalemi këtu’”, ka përshkruar Blick.
Federata helvetike ka pasur shumë kërkesa nga Kosova, por edhe nga Serbia, për intervista me Xhakën e Shaqirin. Por kjo nuk është bërë e mundur. Synim i Federatës është të mbahet fokusi në futboll, marrë për bazë ngjarjet në Rusi. Deri më tani plani ka funksionuar. Por deri te ndeshja me Serbinë ka ende shumë.