Ka gati dy muaj që futbolli dhe aktivitetet e tjera sportive janë pezulluar për shkak të përhapjes së pandemisë COVID-19. Në fakt, më datën 13 mars kur edhe u paraqitën rastet e para të prekura me koronavirus, Qeveria e Kosovës mori vendim për pezullimin e aktiviteteve sportive dhe tubimeve publike.
Ky vendim ka bërë që prej asaj date, sportistët kosovarë të izolohen nëpër shtëpi dhe të përpiqen ta mbajnë formën, duke improvizuar në kushte shtëpiake. Sulmuesi i krahut, Dren Gashi, është në mesin e sportistëve që gjatë kësaj periudhe është munduar ta mbajë formën e tij. Por, futbollisti i Ferizajt në këtë kohë, krahas aktivitetit të improvizuar sportiv në kushte të brendshme shtëpie, ka kryer edhe një aktivitet tjetër, shkruan KOHA.
Përhapja e pandemisë së koronavirusit nuk e ka ndaluar futbollistin për asnjë moment që të qarkullojë rrugëve, por për këtë Gashi kishte një arsye të fortë. Duke pasur parasysh se në këtë kohë të vështirë, ai vendosi që në këtë krizë ekonomike t’u dalë në ndihmë familjeve në nevojë. Ideja e Gashit është përkrahur edhe prej disa shokëve të tij, të cilët e kanë ndihmuar atë që gjatë kësaj kohe të pandemisë, t’i gëzojë familjet që pothuajse nuk kanë pasur fare të ardhura.
Gashi nuk krenohet me këtë, por mundohet të mbajë modestinë e tij. Ai insiston se gjithmonë ka pasur në mendje një ide të tillë, të cilën arriti ta realizojë në një kohë kur në Kosovë pothuajse nuk funksiononte asgjë si pasojë e përhapjes së koronavirusit.
“Këtë ide nuk e kam vetëm unë, por besoj se kjo gjendet në kokën e secilit për shkak se ne njihemi si popull që ndihmojmë njëri-tjetrin në koha të vështira. Kështu që, duke pasur parasysh koronavirusin që ka bllokuar thuajse gjithçka dhe muajin e madhërishëm të Ramazanit, mendova se ishte koha më ideale për t’u dalë në ndihmë familjeve në nevojë”, ka thënë Gashi. “Nuk kam hezituar aspak dhe me vullnetin më të madh po e bëj këtë. Mendoj se për të ndihmuar të tjerët që kanë nevojë është shumë lehtë, dhe në vendin tonë ka shumë të tillë. Realisht, po më vjen mirë që po mund t’i ndihmoj të tjerët”, është shprehur Gashi.
Edhe
Sporti në pandemi: i goditur, por jo i rrëzuar
Ka ndihmuar rreth njëmijë familje
Gashi, 26-vjeçar, thotë se deri më tani u ka dalë në ndihmë rreth njëmijë familjeve në nevojë në Prishtinë. Ai insiston se misioni i tij do të vazhdojë ende për shkak se pranon që po preket shumë kur po i sheh kushtet e vështira me të cilat po përballen shumë familje. Gashi thotë se nuk e ka ndërmend të ndalet, ndonëse e ka parasysh se nganjëherë mund të hasë në vështirësi. Megjithëse, ai është i vendosur që sadopak t’ua kthejë buzëqeshjen të gjithë atyre që kanë nevojë për gjërat elementare të jetesës.
“Deri më tash, i kemi ndihmuar mbi njëmijë familje në Prishtinë. Falë disa shokëve që më janë bashkuar në këtë mision, tash për tash ia kemi dalë me sukses ta kryejmë dhe kjo është më se e rëndësishme”, ka thënë Gashi. “Është shumë e prekshme kur sheh familje të tillë, pasi dihet që në Kosovë të gjithë nuk i kanë kushtet e njëjta. Madje, ka disa familje që nganjëherë harrohen nga të gjithë, pavarësisht se kanë nevojë. Kështu që, ne duhet t’u afrohemi atyre dhe t’u dalim në ndihmë”. Tash për tash, Gashi thotë se pa problem ka arritur të sigurojë fonde për të blerë gjëra ushqimore. Për këtë, ai nuk harron të falënderojë edhe shoqërinë, e cila e ka përkrahur idenë e tij, që t’u dalë në ndihmë atyre që jetojnë në kushte të vështira në këtë kohë të vështirë që e ka krijuar pandemia e koronavirusit.
“Në rrethanat aktuale që po jetojmë, si grup kemi hasur paksa në vështirësi. Mirëpo, nuk po ndalemi dhe po mundohemi që të gjitha familjeve që kanë nevojë për kushte elementare në këtë kohë pandemie t’u dalim në ndihmë. Vazhdimisht po kërkojmë dhe shpresoj që sadopak t’u kemi dalë në ndihmë”, ka shtuar Gashi. "Ne si popull shquhemi si humanistë dhe sigurisht që në këtë mision më kanë ndihmuar shokët e familjarët. Së bashku kemi mbledhur fonde për të siguruar ushqime. Kështu që, më e pakta që mund të bëj për ata që më kanë dalë në ndihmë prej ditës së parë dhe po vazhdojnë të më ndihmojnë, është t’u them faleminderit shumë”.
Gashi thotë se për këtë ide nuk është frymëzuar nga askush, por thjesht gjithmonë ka dashur të bëjë diçka për ata që kanë nevojë. Madje, thotë se aksioni i tij do të vazhdojë edhe pasi të përfundojë pandemia. Synimi i Gashit është që vazhdimisht t’u dalë në ndihmë me pako ushqimore familjeve në nevojë.
“Besoj se ky aksion nuk do të ndalet dhe do të vazhdojmë t’u dalim në ndihmë sa më shumë familjeve që të mundemi”, tha ai.
Edhe
Izolimi nga koronavirusi ia nxori në pah Gashit talentin në shumë sporte
Në pritje të rifillimit të futbollit
Në fakt, Gashi është njëri prej futbollistëve të paktë të Superligës së Kosovës që nuk është paguar fare për këtë vit. Ai është pjesë e Ferizajt, klub që ka pasur vështirësi të mëdha financiare këtë edicion. Kjo ka bërë që Gashi dhe bashkëlojtarët e tij të mos paguhen fare për vitin 2020. Në të vërtetë, lojtarët e Ferizajt krejt çka kanë marrë gjatë kësaj periudhe janë nga 350 euro të ndara nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), e cila doli me një pako emergjente për t’i ndihmuar të gjitha klubet e saj. Gashi në dy edicionet e fundit është pjesë e Ferizajt, kurse karrierë ka bërë edhe te Prishtina, Gjilani e Drita. Gashi po shpreson që situata te Ferizaj të përmirësohet, por gjithashtu po pret që edhe situata aktuale në Kosovë e krijuar nga koronavirusi të përmirësohet. Sipas tij, në momentin që të largohet virusi, atëherë edhe gjërat do t’i kthehen normalitetit.
“Është e vërtetë që Ferizaj si klub ka shumë probleme, por shpresoj që ato do të zgjidhen shumë shpejt, pasi kam besim në kryesinë e klubit”, shtoi Gashi.
Megjithatë, pavarësisht të gjithave, Gashi nuk i ka ndalur stërvitjet. Ai ka pranuar se aspak nuk është e lehtë të stërvitesh në kushte shtëpiake. Sipas tij, stërvitjet individuale në shtëpi me stërvitjet kolektive në fushë dallojnë “si nata me ditën”.
“Po bëhen gati dy muaj që është pezulluar kampionati dhe mund të them se stërvitjet e përbashkëta po më mungojnë shumë, sikurse edhe ndeshjet. Nuk është njëjtë të stërvitesh në shtëpi sikurse në fushë. Por, po shpresoj që kjo situatë të tejkalohet sa më shpejt dhe të kthehemi në fushë, por edhe në ndeshje”, shprehet Gashi.
Ai pranon se kjo pauzë mund të ndikojë në formën dhe ritmin e futbollistëve në rast se merret vendim për rifillimin e garave. Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) po synon që këtë muaj të rikthehen aktivitetet, por ende nuk ka marrë një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë. Gashi personalisht është për rifillimin e kampionatit dhe synimi i tij me Ferizajn është të sigurojnë mbijetesën në elitë. Ferizaj këtë edicion zë vendin e dhjetë me 25 pikë të tubuara.
Edhe
Një lojtar i Dritës me koronavirus
“Pres që kampionati të rifillojë shumë shpejt, pasi është vështirë të qëndrojmë pa futboll. Nuk jam mësuar të qëndroj kaq kohë të gjatë pa luajtur futboll”, pranon Gashi. “Megjithatë, shpresoj që kjo pauzë e detyrueshme të mos të ndikojë në formën tonë edhe pse një gjë e tillë do të jetë e pashmangshme”.