Sport

Gashi dhe klubi i tij Ballkani po rriten bashkë

Para shtatë muajve iu bashkua Ballkanit të Suharekës në kërkim të një skuadre stabile. Por i ka dalë shumë më ndryshe, në fakt shumë më mirë.

Mesfushori Kushtrim Gashi po e kërkon titullin e parë të kampionit si për vete ashtu edhe për Ballkanin. Skuadra nga Suhareka ka dimëruar si kampione në Superligën e Kosovës dhe është kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës. Për Gashin, gjithçka duket si bonus, pasi planet ishin për shumë më pak në fillim të stinorit.

Tash te skuadra suharekase kanë nisur të mendojnë për titullin dhe daljen në garat evropiane. Kontribut në këtë rrugëtim ka edhe pejani 27-vjeçar, për çka drejtuesit e klubit i kanë ofruar kontratë deri në vitin 2022. Ai synon që kjo periudhë të jetë e mbushur me suksese, shkruan Koha Ditore. 

“Para ndonjë trofeu, dua që të paraqitem sa më mirë në ndeshjet e këtij edicioni, duke mbrojtur me nder ngjyrat e klubit. Nëse e bëj këtë, atëherë besoj se edhe trofetë nuk do të mungojnë, e pas tyre edhe dalja në arenën evropiane”, është shprehur Gashi për gazetën. “Edicionin e nisëm pa ndonjë synim të madh, por thjesht të shkojmë ndeshje pas ndeshjeje. Por tash krahas vendit të parë jemi edhe në gjysmëfinale të kupës, që do të thotë se na mbetet të luftojmë deri në fund në të dyja frontet”.

Megjithatë, Gashi e ka parasysh se kjo nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi sipas tij, të gjitha skuadrat janë përforcuar dhe këtë edicion gara për trofe është më e fortë, sesa në të shkuarën. Gashi thotë se në garë janë shumë skuadra për titullin e kampionit. Ballkani në pjesën e parë të këtij edicioni, në 17 ndeshje kampionale, ka shënuar dhjetë fitore, katër barazime dhe tri humbje.

Image

“Konkurrenca këtë edicion është shumë e fortë për shkak se gati të gjitha klubet kanë bërë shpenzime të mëdha dhe në radhët e veta kanë sjellë lojtarë cilësorë. Kjo edhe e ka ngritur shumë nivelin e Superligës. Lufta për titull do të jetë shumë e fortë deri në xhiron e fundit, por edhe gara për mbijetesë”, ka thënë Gashi.

Roli i ndjeshëm në fushë

Si çdo lojtar tjetër, edhe Gashi synon që në një të ardhme të bëjë karrierë jashtë kufijve të Kosovës. Por, ai dëshiron që nga Kosova të largohet si një lojtar që ka fituar trofe në vend. Për këtë arsye, Gashi insiston se tash për tash është i fokusuar vetëm te Ballkani.

“Suksesin më të madh po e kërkoj me fanellën e Ballkanit dhe shpresoj që këtë ta arrij këtë edicion. Para tre vjetësh kam luajtur në finalen e Kupës së Kosovës me Vëllaznimin, por pësuam në finale nga Prishtina. Këtë edicion shpresoj që të paktën njërin prej trofeve, do ta fitoj”, ka thënë Gashi. “Tash për tash, jam i përqendruar te Ballkani, më të cilin ekip kam kontratë deri në vitin 2022. Natyrisht, që dëshira ime është të luaj jashtë, por fillimisht dua të fitoj trofe në futbollin e Kosovës”.

Gashi te Ballkani ka një rol paksa të vështirë për t’u mbuluar. Luan në rolin e mesfushorit defensiv dhe kujdeset t’i ndërpresë sulmet e kundërshtarëve....(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)