Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka konkurrencën e duhur për qendrën e mbrojtjes. Aktualisht tre futbollistë që luajnë qendërmbrojtës, po kanë paraqitje të mira me skuadrat e tyre. Ibrahim Dresheviq, Fidan Aliti e Betim Fazliji po luajnë rregullisht te skuadrat e tyre.
Ndërkohë kapiteni Amir Rrahmani është në një kampionat dukshëm më të fortë dhe po ka më pak hapësira. Sidoqoftë, Rrahmani vlerësohet aktualisht i paprekshëm te Kosova. Kështu që Alitit, Fazlijit e Dresheviqit i mbetet që të garojnë për pozitën tjetër.
Dresheviqi luan në Holandë me Heerenveenin dhe është paraqitur në 18 ndeshje në total këtë edicion. Ka dy asistime. Asistimin e fundit e bëri në fitoren e thellë, 3:0, të skuadrës së tij ndaj gjigantit, Feyenoordit. Dresheviqi asistoi në golin e dytë që u shënua në minutën e 30-të. Luajti tërë ndeshjen për herën e pestë në gjashtë duelet e fundit. Kundër Fortuna Sittardit luajti 30 minuta në shtëpi në humbjen 3:1.
Dresheviq ka thënë të enjten për KOHËN se skuadra e tij e ka synimin që të ngjitet në një vend që dërgon në kupa evropiane. Heerenveeni është në vendin e nëntë në tabelë me 25 pikë pas 19 ndeshjeve.
“Po marrim rezultate të mira vazhdimisht dhe është gjë e mirë. Natyrisht se dëshirojmë që të arrijmë deri në majë. Dëshirojmë që të arrijmë një vend që dërgon në garat evropiane. Ky është synimi ynë këtë edicion”, tha 24-vjeçari Dresheviq.
“Është asistimi i dytë i edicionit, por më shumë jam i lumtur kur arrijmë pikë me ekipin. Jam gjithmonë i lumtur kur paraqitjet e mia e ndihmojnë ekipin të fitojë një ndeshje”, shtoi ai.
Dresheviqi tani po aktivizohet vazhdimisht në qendër të mbrojtjes, ndryshe prej fillimit të kampionatit. Në mungesë të futbollistëve, trajneri i ekipit, Johnny Jansen, e aktivizonte atë para mbrojtjes, si mesfushor defensiv.
Ai ishte i pafat kur pësoi dëmtim në nyjën e këmbës, por shton se ndryshimi i pozitës nuk është problem për të. Thotë se e jep më të mirën kudo që trajneri ka nevojë.
“Në ndeshjen e parë të edicionit u lëndova në nyjën e këmbës dhe për këtë arsye nuk kam luajtur shumë. Trajneri nuk bëri ndryshime në skuadër pasi ekipi luante mirë. Kudo që luaj nuk është problem për mua. Luaj aty ku trajneri dhe ekipi kanë nevojë dhe mundohem gjithmonë që ta bëj më të mirën”, thotë Dresheviqi.
Paraqitjet me ekipe reflektojnë edhe në paraqitjet me Përfaqësuese. Konkurrenca në qendrën e mbrojtjes po shtohet vazhdimisht dhe kjo është gjë e mirë edhe sipas Dresheviqit.
“Konkurrenca është shumë e madhe. Por, unë po mundohem të jem në formën më të mirë të mundshme dhe shpresoj që t’i kemi të gjithë futbollistët në formë të mirë për ndeshjet me Kosovën”.

Me Kosovën, Dresheviqi ka luajtur shtatë ndeshje, përfshirë edhe miqësoret.
Kosova në muajin mars do t’i nisë ndeshjet kualifikuese në kuadër të Kampionatit Botëror “Katari 2022”.
“Dardanët” janë në grupin B bashkë me Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë.
Kundër Suedisë, Kosova do ta zhvillojë ndeshjen e parë kualifikuese në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, më 28 mars. Dresheviqi ka luajtur në futbollin suedez më parë, ndërsa grupin e vlerëson të vështirë por jo të pakalueshëm.
“Kemi një grup të mirë lojtarësh. Mendoj se ne gjithmonë kemi shanse për fitore, sepse ky është futbolli dhe e japim më të mirën për ta fituar çdo ndeshje”, theksoi 24-vjeçari.
Betim Fazliji është qendërmbrojtësi tjetër që po luan shumë. Ai paraqitet në elitën e futbollit të Zvicrës.
Në Superligën helvetike Fazliji, 21-vjeçar, ka luajtur këtë edicion në të gjitha ndeshjet. St. Galleni është në garë për titull kampioni dhe e ka mbrojtjen e dytë më të mirë në ligë me 12 gola të pranuar, dy më shumë se Young Boysi lider.
Fazliji në 16 ndeshje në të gjitha garat, vetëm në fitoren kundër Zuerichut, 2:1, luajti 14 minuta. Ndeshjet e tjera i kompletoi.
Ai ia dha fitoren minimale skuadrës kundër Sionit, në ndeshjen e parë të këtij edicioni, dhe ka një asistim kundër Young Boysit në humbjen 2:1. Me Kosovën, 21-vjeçari debutoi në miqësoren kundër Shqipërisë, në nëntor të vitit të kaluar. Është ndeshja e vetme e tij.
Në Zvicër te Zuerichu vetëm një ndeshje ka munguar 27-vjeçari Fidan Aliti. Ai nuk pati të drejtë loje kundër Lausanne-Sport, pasi iu bashkua ekipit të ri nga Kalmari i Suedisë. Fanellën e Kosovës, Aliti e ka djersitur në 29 ndeshje dhe llogaritet si një prej lojtarëve me më së shumti përvojë te “Dardanët”.
Megjithatë me më së shumti paraqitje mbetet kapiteni Amir Rrahmani, që te Kosova ka luajtur 33 herë, ndërsa ka kontribuuar edhe me 5 gola të shënuar. Rrahmani në fakt është kapiten kur Samir Ujkani nuk është në përbërjen bazë.
Rrahmani, 26-vjeçar, është pjesë e Napolit në Serie A, ndërsa ka luajtur vetëm 149 minuta në edicionin 2020/21, katër ndeshje në total. 59 minuta i luajti në Serie A në tri ndeshje, ndërsa i plotë ishte në Kupën e Italisë, ku me Napolin e eliminoi Empolin me fitoren 3:2.
Edicionin e shkuar Rrahmani ishte prej më të vlerësuarve në Serie A të Italisë sa ishte pjesë e skuadrës së Hellas Veronës. Pati statistika mbresëlënëse.
Deri më tani kryesisht Rrahmani ka luajtur në qendër me Alitin. Por mbetet të shihet nëse kjo dyshe do të vazhdojë të jetë në vijën e parë të mbrojtjes.