Sulmuesi i Juventusit, Mohamed Ihattaren raportohet se është arrestuar në Holandë pasi dyshohet se ka sulmuar ish-të dashurën e tij. “De Telegraaf” detajon se si holandezi 21-vjeçar, i cili u kthye në Amsterdam për ditëlindjen e tij, u arrestua nga policia pasi dyshohet se kishte sulmuar ish të dashurën e tij.
Policia bastisi shtëpinë e lojtarit të Juventusit. Një zëdhënës i policisë tha se “një 21-vjeçar është marrë në pyetje dhe është në paraburgim” për një incident të paspecifikuar në familje. Ky është arrestimi i dytë i Ihattarenit brenda pak muajsh.
Në nëntor, ai u arrestua me dyshimin se ishte i përfshirë në një kërcënim ndaj një personi tjetër. Çështjet jashtë fushës e kanë prishur karrierën e 21-vjeçarit, pasi ai dikur konsiderohej si një nga lojtarët më premtues të brezit të tij, kur ai depërtoi në ekipin e parë PSV Eindhovenit në vitin 2019. Juventusi transferoi Ihattarenin për rreth 2 milionë euro në gusht të vitit 2021 dhe e huazoi menjëherë te Sampdoria, ku gjërat filluan të shkojnë keq. Pas një periudhe të pasuksesshme në Sampdoria, ai iu bashkua Ajaxit në formë huazimi, duke u larguar një vit më vonë pasi bëri vetëm një paraqitje për skuadrën e Amsterdamit.