Sport

Futbollistet nisin me ndeshje në terren neutral

Arsim Maxhera

Të mërkurën është përcaktuar orari i ndeshjeve të grupit të katërt të Ligës B në kualifikimet “Euro 2025” për futbolliste. Dhe Kosova ndeshjen e parë do ta luajë në terren neutral.

Shorti i tërhequr të martën ka përcaktuar që në Grupin B4 të jenë Uellsi, Kroacia, Ukraina dhe Kosova. Futbollistet e Kosovës ndeshjen e parë e luajnë më 5 prill në udhëtim ndaj Ukrainës. Por jo në Ukrainë.

Prej se ka nisur pushtimi rus i Ukrainës, UEFA ka vendosur që skuadrat dhe përfaqësueset ukrainase ndeshjet si vendëse t’i zhvillojnë në vende të tjera. Ky vendim është ende në fuqi.

Në të vërtetë, thuajse asnjëherë nuk ndodh që Kosova të jetë në një grup pa komplikime të natyrës politike. Shpesh është në grup me përfaqësuese të vendeve që nuk e njohin Kosovën. Së fundi ka pasur komplikime edhe kur ishte fjala për Izraelin e Ukrainën.

Ukraina më 27 shkurt e luajti ndeshjen e fundit si vendëse. E priti Bullgarinë në Antalya të Turqisë dhe e mposhti me rezultatin 3:0. Si vendëse së fundi ka luajtur kryesisht në Poloni, por edhe në Greqi.

Ukraina ende nuk e njeh shtetin e Kosovës. Dhe për kohë të gjatë Ukraina nuk ka lejuar hyrjen e sportistëve të Kosovës në territorin e saj, si pak ndonjë vend tjetër. Për këtë arsye edhe pa nisur lufta në Ukrainë, ndeshjet Ukrainë – Kosovë ishin zhvilluar në terren neutral. Ka pasur ndeshje në futboll e në basketboll. Pak muaj pa nisur lufta, Ukraina kishte nisur t’i lejonte sportistët e Kosovës të futeshin në territorin e saj. Një ekip i futsallit kishte udhëtuar së pari për në Ukrainë.

Kosova ndeshjen e dytë e ka ndaj favoritit të grupit, Uellsit. Kjo ndeshje zhvillohet më 9 prill. Kosova është vendëse, por mbetet të shihet se ku do të luhet takimi. Së fundi si nikoqire, Kosova kishte luajtur më 1 dhjetor të vitit të kaluar. E kishte pritur Bullgarinë në Podujevë dhe kishte fituar 5:1. Ndeshja i takoi Ligës C të Ligës së Kombeve. Se a do të mbyllë UEFA-s sytë për ndeshjen ndaj Uellsit dhe të lejojë që ajo të zhvillohet sërish në Podujevë, mbetet të shihet. Uellsi, megjithatë, është përfaqësuese e nivelit dukshëm më të lartë se Bullgaria.

Renovimi i fushës në “Fadil Vokrri” nuk ka nisur ende dhe stadiumi në Prishtinë vështirë se do të hapet deri në verën e vonshme. Kështu që mbetet të shihet se ku do të luhet edhe ndeshja Kosovë – Kroaci, më 31 maj. Më 4 qershor futbollistet e Kosovës luajnë në udhëtim ndaj Kroacisë, ndërsa më 12 korrik e presin Ukrainën. Uellsi – Kosova është ndeshja e fundit e këtij grupi, që zhvillohet më 16 korrik.

“Synojmë vendin e dytë në grup dhe për këtë na duhen dy fitore ndaj Ukrainës”, ka thënë kapitenia e Kosovës, Erëleta Memeti.

Nëse përfundon në tri pozitat e para, Kosova vazhdon në plejof për kualifikim në Evropianin që vitin tjetër mbahet në Zvicër. Në plejof mund të avancojë edhe prej pozitës së katërt.