Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Futbolli po ndihmon në luftimin e vetëvrasjes në Arktikun kanadez

Nunavuti e ka gjetur veten nëpër tituj të lajmeve kohët e fundit. Territori më i madh dhe më verior i Kanadasë ka qenë nën vëmendjen globale, sepse pothuajse në mënyrë unike në Amerikën e Veriut, mbetet plotësisht i lirë dhe i paprekur nga pandemia. Izolimi i këtij rajoni të gjerë Arktik, i cili nuk ka rrjet rrugor ose hekurudhor dhe është i arritshëm vetëm gjatë gjithë vitit me aeroplan, pa dyshim se ka kontribuar në këtë status të jashtëzakonshëm. Por ndërsa është i pastër nga koronavirusi, Nunavut - shtëpia e 36 mijë njerëzve të shpërndarë në dy milionë kilometra katrorë - përballet me një kërcënim tjetër tinëzar dhe të vendosur mirë në vend. Vetëvrasja ka qenë prej kohësh dhe mbetet edhe sot, një nga vrasësit më të mëdhenj të këtij territori, shkruan FIFA.com.

Shkalla e vetëvrasjes së Nunavut është nëntë herë më shumë se mesatarja kombëtare dhe, nëse do të ishte një vend i pavarur, kjo normë do të ishte më e larta e çdo kombi në botë. “Fatmirësisht ne kemi shmangur pandeminë e COVID-19, por vetëvrasja është epidemia jonë”, ka pranuar Joselyn Morrison, presidentja e Shoqatës së Futbollit të Nunavutit. “Është një sfidë masive këtu - më e madhja që kemi”. Morrison, dhe sporti që ajo pëlqen – futbolli - po ndihmojnë gjithashtu për të trajtuar këtë çështje. Ndërsa futbolli mbetet pak larg hokejit mbi akull si sporti më i popullarizuar i territorit, ai megjithatë ofron një pikë të fortë dhe të paçmuar rreth së cilës mund të lulëzojnë shëndeti fizik dhe mirëqenia mendore. “Është kaq e rëndësishme t’u ofrojmë njerëzve në këtë territor, dhe veçanërisht të rinjve, gjëra për të bërë. Unë jetoj në komunitetin më të madh këtu në Nunavut (Iqaluit, kryeqyteti i territorit), por ne jemi akoma me të vërtetë të vegjël - vetëm tetë mijë njerëz. Dhe të kesh gjëra për të bërë dhe të presësh me padurim është një sfidë e vërtetë - veçanërisht gjatë muajve të errët të dimrit”, ka thënë Morrison. “Sa më shumë aktivitete që mund t’u ofrojmë njerëzve, aq më mirë. Futbolli, dhe sporti në përgjithësi, është kaq i rëndësishëm në këtë aspekt, pasi, siç e di kushdo që luan futboll, është pozitiv si për shëndetin fizik ashtu edhe për atë mendor”. 

Futsalli si kompensim për dimrin e fortë

Sidoqoftë, Nunavut është një territor në të cilin temperaturat mund të ulen deri në -50 gradë celsius, dhe ku toka është e mbyllur në acar të përhershëm. Me fjalë të tjera, kushtet në të cilat loja e bukur zakonisht lulëzon janë të vështira. Përshtatja dhe përqafimi i futsallit, kanë qenë thelbësore për të siguruar vendin e vazhdueshëm të lojës në peizazhin sportiv të rajonit. Me futbollin në fushë artificiale, sezoni në Nunavut zgjatë pesë muaj – prej majit deri në shtator – përpara se të mbyllet në palestër. “Përveç lojës që e luajmë jashtë gjatë verës, futbolli është padyshim një sport i mbyllur për ne”, pranoi Morrison. “Këtu në Iqaluit zakonisht luajmë në një palestër, megjithëse kemi një terren artificial të vendosur për ne nga maji deri në shtator në një nga arenat tona të hokejit. Ne gjithashtu kemi vënë shumë vëmendje në futsall kohët e fundit, sepse kjo është ajo që ata luajnë në Lojërat Dimërore të Arktikut”. Përkundër interesimit të madh për futbollin dhe futsallit, pengesat janë të mëdha për të gjithë ata që janë përkushtuar pas këtij sporti. “Udhëtimi, gjeografia, janë sfidat më të mëdha me të cilat përballet futbolli këtu. Ne përpiqemi të presim dy turne në vit - një në nivelin U15 dhe një në nivelin U18 - dhe udhëtimi e kostoja e fluturimeve e bëjnë atë shumë të vështirë. Kostoja është vërtet e egër”, shtoi Morrison. “Ekipet nga komunitetet e vogla bëjnë shumë mbledhje fondesh për të shkuar në këta turne. Por atëherë ajo që shpesh e shohim se në ditën ekipi që do të udhëtojë për në kryeqytet, do të ketë stuhi dhe ata nuk mund të fluturojnë. Të jesh në mëshirën e motit e bën shumë të vështirë organizimin e gjërave”. 

Sfidat për gara në vendet fqinje

Sfidat gjeografike dhe financiare paraqiten gjithashtu për çdo përpjekje për të lënë Nunavutin për gara në territoret fqinje. Këtë e pranon edhe Morrisoni, që thotë se ka raste kur ndonjë ekip nuk ka kundërshtar në Nunavut dhe duhet medoemos të bëjë përpjekje për të shkuar në ndonjë vend fqinj për të marrë pjesë në ndonjë turne. “Unë gjithashtu jam trajnere e futbollit dhe kryesisht merrem me vajza të shkollës së mesme, U12 dhe U14, dhe ne jemi e vetmja shkollë e mesme në qytet, kështu që nuk kemi asnjë kundërshtar për të luajtur dhe kjo është shumë e vështirë”, shpjegoi Morrisoni, që thotë se për një udhëtim pothuajse mbledhin fonde gjatë tërë vitit. “Por ka një turne të quajtur Super Soccer në Yellowknife (kryeqyteti i Territoreve Veriperëndimore, rreth dy mijë kilometra larg nga Iqaluit) dhe ne mbledhim fonde gjatë gjithë vitit për të udhëtuar atje që të garojmë në të. Për fluturimet, hotelet dhe vetëm për një fundjavë na kushton prej 80 deri në 100 mijë dollarë. Kjo iu tregon llojin e burimeve që na duhen vetëm për të garuar kundër ekipeve të tjera”. Edhe kur të udhëtojnë, problemet janë të mëdha për shkak se shumica prej fëmijëve asnjëherë nuk janë larguar nga Nunavuti dhe magjepsën me vendet e tjera. Dhe, kjo i motivon të gjithë që të dalin për të mbledhur fonde. “Megjithatë, ne kemi qejf të mbledhim fonde dhe ia vlen aq shumë kur të shkojmë atje. Disa nga fëmijët nuk janë larguar kurrë nga komuniteti ose territori dhe janë disa gjëra që kur shkojmë atje në Yellowknife i befasojnë fëmijët. Pemët janë një shembull i mirë - këtu nuk ka pemë - dhe ‘McDonald’s’ gjithashtu!”, qeshet Morrisoni. “Janë shumë para, por është një përvojë kaq e mrekullueshme. Ky udhëtim dhe të jesh pjesë e një ekipi, është diçka që do t’i lërë vajzat me kujtime të shkëlqyera gjithë jetën e tyre. Kjo është pjesë e asaj që e bën futbollin kaq të veçantë për ne”. Si Morrisoni ashtu edhe të gjithë ata që i janë përkushtuar futbollit, besojnë se brenda një periudhe të shkurtër ky sport do të ndikojë në rënien e shkallës së vetëvrasjes në Nunavutit.