Federata Shqiptare e Futbollit ka përjashtuar nga Superliga e Shqipërisë klubin e Kamzës pas dhunës së shfaqur në stadium në ndeshjen me Laçin duke e dërguar në Kategorinë e Dytë nga sezoni i ardhshëm.
12 ndeshjet e mbetura të këtij sezoni, Kamza do t’i humbë me rezultat të përgjithshëm 0 me 3, raportojnë mediumet në Shqipëri.
Arsyetimi për këtë vendim është dështimi i “përmbushjes së përgjegjësive për organizimin e ndeshjeve, duke mos zbatuar rregullat e sigurisë dhe duke mos garantuar sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes”.
Presidenti i Kamzës, Naim Qarri, është dënuar me 36 muaj pezullim nga çdo aktivitet futbolli dhe një gjobë prej 100 mijë lekësh. Atij i është ndaluar hyrja në të gjitha stadiumet e Shqipërisë.
Të njëjtën masë e ka marrë edhe zyrtari Albert Bana. Ai është pezulluar për 18 muaj.
Në ndeshjen Kamza-Laçi fundjavën e shkuar u sulmua gjyqtari Eldorjan Hanmiti.