Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

FSHF-ja thotë se opinioni futbollistik ndërkombëtar solidarizohet me Dukën

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), ka njoftuar se e gjithë bota e futbollit kombëtar e ndërkombëtar është solidarizuar me presidentin e saj, Armando Dukën pas ngjarjes tronditëse të dy ditëve më parë. Të martën mbrëma, një sasi tritoli shpërtheu para shtëpisë së kreut të futbollit shqiptar.

Në njoftimin e FSHF-së, thuhet se Duka menjëherë pas ngjarjes shokuese është kontaktuar nga personalitete të njohura të futbollit ndërkombëtar, përfshirë kreun e FIFA-s, Gianni Infantonon dhe atë të UEFA-s, Aleksander Çeferinin.

“Presidentët e FIFA-s, Infantino dhe ai i UEFA-s, Ceferin, presidentë klubesh, federatash, personalitete të njohura ndërkombëtare kanë kontaktuar Presidentin Duka menjëherë pas ngjarjes shokuese duke u shprehur të tronditur për shpërthimin dhe duke i shprehur solidarizimin e mbështetjen e tyre në këtë moment të vështirë”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e FSHF-së.

Po ashtu, FSHF-ja ka shtuar se edhe presidentët e federatave tjera të futbollit dhe anëtarë të komitetit ekzekutiv të UEFA-së, janë solidarizuar me Dukën duke i shprehur mbështetjen e tyre.

“Shpërthimi i eksplozivit në shtëpinë e Presidentit Duka në shtëpinë e tij në Durrës është një ngjarje e paprecedentë e që ndodh para zgjedhjeve për organet drejtuese të FSHF-së dhe në mesin e sulmeve skandaloze dhe të turpshme që vijnë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës në adresë të kreut të qeverisë së futbollit”, ka shtuar FSHF.