Kampioni i katërfishtë i Britanisë në “Tour de France”, Chris Froome, ka shprehur shqetësimin nëse organizatorët e kësaj gare do të jenë në gjendje t’i parandalojnë turmat e mëdha që do të mblidhen në garën më prestigjioze të çiklizmit në botë, mes shqetësimeve rreth pandemisë COVID-19. “Tour de France”, që fillimisht ishte planifikuar të fillonte më 27 qershor, është shtyrë përsëri nga organizatori deri më datën 29 gusht të këtij viti për shkak të përhapjes së koronavirusit. Tubimet masive me më shumë se pesë mijë njerëz janë ndaluar në Francë deri në muajin shtator, pasi ky vend regjistroi më shumë se 168 mijë raste të prekura me koronavirus dhe rreth 25.000 të vdekur deri të martën.
“Tour de France” është një ngjarje e ngulitur në kulturën dhe shoqërinë franceze, e cila tërheq milionë tifozë për çdo vit që janë të rreshtuar përgjatë rrugëve të 21 fazave të kësaj gare. Megjithatë, Froome beson se ky vit do të jetë i pari në histori të kësaj gare që do të mbahet pa shikues. Froome po shpreson që organizatorët do të jenë në gjendje t’i mbajnë turmat e njerëzve larg garës, e cila pritet të mbahet në fund të muajit gusht, pavarësisht se në Francë tashmë futbolli është anuluar.
“Nuk e di dhe nuk jam i sigurt nëse organizatorët do të mund t’i mbanin njerëzit larg garës, duke mos i lejuar ata që të mblidhen për ta përcjellë garën. Në teori, ne mund të vendosim që gara të mbahet pa shikues që qëndrojnë nëpër rrugë, pasi ajo transmetohet në televizione. Do të ishte më e sigurt për të gjithë kjo mënyrë e mbajtjes së garës”, ka insistuar Froome. “Sipas meje, ky është versioni i garës që duhet ta shohim këtë vit. Pra, që të mos kemi tunele të njerëzve që të kalojmë nëpërmjet tyre”.
Në të vërtetë, ministrja e Sportit të Francës, Roxana Maracineanu, ka thënë se “Tour de France” nuk do të anulohet, por do të mbahet në fund të muajit gusht. Megjithatë, ajo nuk ka dhënë shumë shpresa se kjo garë do të zhvillohet pa praninë e adhuruesve. Madje, Maracineanu ka paralajmëruar se edhe disa ngjarje të tjera sportive deri atëherë mund të mbahen me shikues, pra jo prapa dyerve të mbyllura.
“Ne duhet të jemi të durueshëm, të shkojmë përpara me kujdes dhe të mos bëjmë plane tepër ambicioze. Nëse në shtator gjërat shkojnë edhe më mirë, atëherë të gjitha ngjarjet në kalendar, siç janë ‘Tour de France’, ‘Roland Garros’ apo edhe ngjarje të tjera të mëdha mund të mbahen me shikues”, ka thënë Maracineau gjatë javës së shkuar. “Këto dy ngjarje sportive dihet që kërkojnë spektatorë. Ata nuk do të jenë të pranishëm vetëm nëse ka një autorizim për një gjë të tillë. Pra, këto ngjarje nuk do të mbahen prapa dyerve të mbyllura”.
Një përgjigje nëse “Tour de France” do të mbahet me ose pa shikues, ende nuk e ka dhënë as Amaury Sport Organization, e cila është organizatore e kësaj gare prestigjioze. Froome, i cili vitin e shkuar e humbi garën pas një përplasjeje që e pësoi në stërvitje, këtë vit thotë se ka kohë shtesë për t’u përgatitur sa më mirë, në mënyrë që ta kompensojë dështimin e vitit të kaluar. Megjithatë, shqetësimi i tij, sërish mbetet te prania e publikut në këtë garë. Por Froome shpreson se deri atëherë do të merret një vendim që do të jetë i përshtatshëm për të gjithë, në rend të parë për garuesit.
Edhe
Nuk ka garanci se do të mbahet “Tour de France” këtë vit
“Në këtë kohë pandemie jam duke u stërvitur, pasi na është dhënë kohë shtesë deri te fillimi i garës. Ka ditë kur deri në gjashtë orë qëndroj në biçikletën e palëvizshme. Pothuajse, tërë stërvitjen në këtë kohë e kam bërë brenda. Kështu që jam përgatitur edhe mendërisht për ta përballuar edhe kohën e izolimit, por edhe garën”, është shprehur Froome.
Kur të fillojë “Tour de France”, atëherë Froome do të ketë në mendje vetëm historinë e kësaj gare, pasi është vetëm një fitore larg për ta barazuar rekordin me legjendarët e këtij sporti, si Jacques Anquetil, Eddy Merckx, Bernard Hinault dhe Miguel Indurain. \ CNN