Sport

Franca përballet me “peshën” e historisë në përpjekje për ta ruajtur Kupën e Botës

 Përveç përballjes me lëndimet e lojtarëve kyç, Franca ka edhe peshën e historisë së Kupës së Botës për të luftuar në Katar. Që kur Brazili humbi finalen e vitit 1998 ndaj Francës, kampioni në fuqi i botës nuk i është afruar ruajtjes së titullit. Nga pesë kampionët e fundit, katër nuk arritën në fazën e eliminimit dhe tre mbetën të fundit në grupet e tyre.

Si fituese e Kupës së Botës në vitin 1998, shumë e favorizuan Francën që të fitonte sërish në vitin 2002, veçanërisht me vijën e parë me golashënuesit më të mirë nga tri ligat kryesore evropiane. Franca mburrej me sulmuesin e Arsenalit, Thierry Henry, golashënuesin e Juventusit, David Trezeguet dhe talentin në rritje Djibril Cisse, në një sulm vezullues që ndërthurte shpejtësinë, aftësinë dhe fuqinë. Por francezët dështuan dhe me një Zinedine Zidane të dëmtuar që nuk mund të performonte siç duhet në mesfushë, u larguan nga faza e grupeve pa fituar asnjë ndeshje. Ishte një nga goditjet më të mëdha në historinë e Kupës së Botës dhe shenjat paralajmëruese janë jashtëzakonisht të ngjashme këtë herë.

Kampionia në fuqi, Franca, krenohet me sulmin më të mirë në botë, me fituesin e “Topit të Artë” Karim Benzema së bashku me yllin e Kupës së Botës 2018, Kylian Mbappe dhe me Antoine Griezmannin ose Olivier Giroudin për t'i mbështetur ata. Edhe ky sulm në Katar karakterizohet nga shpejtësia, aftësia dhe fuqia.

Por, si në vitin 2002, Franca gjithashtu ka probleme në mesfushë, me fituesit e Kupës së Botës, Paul Pogba dhe N'Golo Kante të lënduar, duke privuar kështu trajnerin Didier Deschamps nga motori i ekipit. Qendërmbrojtësi Raphael Varane, një tjetër shtyllë e katër vjetëve më parë, po përpiqet të rikuperohet nga një dëmtim. Se çka shkoi keq për Francën në 2002, Brazilin katër vjet më vonë, Italinë në vitin 2010, Spanjën në vitin 2014 dhe Gjermaninë më 2018, mund të lexoni më poshtë.

Franca 2002

Çfarë mund të shkojë keq për një skuadër franceze me Zidanen që luan pas Henryt, Trezeguetit dhe Cisset në një grup me Senegalin, Uruguain dhe Danimarkën? Gabimi i parë që bëri trajneri Roger Lemerre ishte zgjedhja e Zidanet në një ndeshje stërvitore kundër Koresë së Jugut, pesë ditë para turneut. Ai pësoi një dëmtim në kofshë që e përjashtoi nga dy ndeshjet e para të grupit dhe u kthye me nxitim për të fundit. Franca, megjithatë, kishte ende bërthamën e ekipit të saj fitues nga viti 1998. Youri Djorkaeff ishte në mesfushë së bashku me Patrick Vieiran, Ishte edhe Emmanuel Petit, i cili kishte shënuar në fitoren 3:0 ndaj Brazilit në finalen e kaluar. Por në ndeshjen hapëse të Botërorit 2002, Papa Bouba Diop shënoi golin e vetëm për Senegalin në fitoren 1:0 ndaj kampiones në fuqi. Shpresat e Francës për t'u rikthyer u goditën kur Henry u përjashtua pas 25 minutash në barazimin 0:0 kundër Uruguait. Kjo bëri që Francës t'i duhej të mundte Danimarkën me dy gola. Një Zidane i shtrënguar bëri atë që mundi, por Franca humbi 2:0 dhe u kthye në shtëpi në siklet.

Brazili 2006

Brazili mburrej me një ekip të mbushur me yje, me shkëlqimin e Ronaldinhos, gjuajtjet e mprehta të Ronaldos dhe Adrianos, vrapimet e Cafus dhe goditjet e lira të Juninhos. Ronaldinho madje kishte një shirit koke të personalizuar me “R”, iniciali i tij, i shkruar me ar. Kishte një ndjenjë se Brazili mund të kishte pak besim të tepruar në çerekfinale kundër një skuadre franceze që shfaqi një Zidane të rinovuar.

Dhe kështu doli. Zidane realizoi një nga paraqitjet më të shkëlqyera në mesfushë në historinë e Kupës së Botës. Shkathtësia e tij e jashtëzakonshme, ekuilibri dhe lëvizjet mashtruan Brazilin dhe gjuajtja e tij e lirë e shtyu Henryn për të shënuar golin e vetëm të ndeshjes.

Italia 2010

Ashtu si Franca në vitin 2002, Italia mbeti në fund të grupit të saj. Të paktën italianët shënuan - katër herë - por grupi dukej pak më i lehtë: Paraguai, Zelanda e Re dhe Sllovakia. Italia pati një fillim të dobët dhe kishte nevojë për një barazim nga mesfushori Daniele De Rossi kundër Paraguait. Më keq pasoi për katër herë kampionët: një barazim 1:1 me Zelandën e Re. Në ndeshjen e fundit të grupit, Italia ishte në rrëmujë dhe u mposht nga Sllovakia 3:2.

Trajneri i Italisë, Marcello Lippi thjesht nuk mundi të arrinte ekuilibrin e duhur, ndryshe nga viti 2006. Skuadra e tij pranoi shumë lehtë gola edhe me Fabio Cannavaron dhe Giorgio Chiellinin në qendrën e mbrojtjes dhe pati probleme përpara. Vincenzo Iaquinta, Antonio Di Natale dhe Fabio Quagliarella shënuan, por sulmuesi i parë Alberto Gilardino dështoi.

Spanja 2014

Ishte një zgjim i vrazhdë për trajnerin e Spanjës, Vicente del Bosque, pas trofeve të mëdha të njëpasnjëshme. Ndeshja hapëse e kampiones evropiane, Spanjës, përfundoi me humbje 5:1 ndaj Holandës – pavarësisht një çifti të fortë në mbrojtje që përbëhej nga Sergio Ramos e Gerard Pique dhe një mesfushe të shkëlqyeshme me Xavi Hernandezin dhe Andres Iniestan. Në ndeshjen tjetër, Spanja u trondit nga Kili që fitoi 2:0, me dy golat e shënuar në pjesën e parë. Fitorja 3:0 ndaj Australisë ishte ngushëllimi i vetëm për një skuadër spanjolle të mbushur me yje, rrëshqitja e së cilës simbolizonte se si dy epoka të arta po përfundonin.

Gjermania 2018

Kishte shumë zhgënjim për Gjermaninë e pamëshirshme, makinerinë sulmuese që shënoi shtatë gola ndaj Brazilit në gjysmëfinale të Kupës së Botës të mëparshme, në rrugën drejt titullit të saj të katërt. Që në fillim, Gjermania pati vështirësi në Rusi, duke humbur 1:0 nga Meksika dhe më pas iu desh një gol nga mesfushori Toni Kroos në minutën e pestë të kohës shtesë për ta mposhtur Suedinë. Kjo duhet të kishte mjaftuar si një thirrje zgjimi. Gjermanisë i duhej të mundte Korenë e Jugut për të pasur një mundësi për të avancuar, por në vend të kësaj pranoi dy gola pasi humbi shumë raste për të realizuar. Humbja u prit me mosbesim në shtëpi, një ndjenjë e njohur për atë ekip francez të mbushur me yje 20 vjet më parë.